E Diel, 1 Nëntor 2026

Portierë të lindur për të shënuar golaBraziliani Rogerio Ceni, aktualisht 36 vjeç, është shndërruar në portierin më profilik në historinë e futbollit botëror. Ai është njohur nga Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS) si port

Bosët e klubeve më të pasur në botë dhe menaxherët më të rëndësishëm janë gjithmonë në kërkim të sulmuesve me të lindur për shënimin e golave. “Gjahtarët e golave” janë dhe më të paguarit dhe gëzojnë kontratat më të majme, pasi janë ata që me golat e tyre, shpesh herë decizivë, u dhurojnë klubeve të tyre pikët e arta, trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë, mahnitin shikuesit në stadiume dhe përgjithësisht pronësojnë tituj individualë nga “Këpuca e artë” e deri te “Topi i artë”.

Lista e të “dashuruarve” me golin është e madhe dhe emrat e tyre janë në muzeun e futbollit, por te ky shkrim, në vëmendjen tonë është një tjetër lloj golashënuesi, pikërisht të atij që duhet të mbrojë portën nga kundërshtari që synon të shënojë gjatë 90 minutave, portierit, mbrojtësit ekstrem, nga aftësitë dhe reflekset e të cilit varet shpesh edhe fati i ndeshjes.

Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS), para pak kohësh i ka kushtuar një studim statistikor portierëve më të suksesshëm në shënimin e golave, duke iu referuar shifrave nga kampionati i parë i sezonit 1888-89 dhe deri në ditët tona.
Nëse Pele, futbollisti më i mirë në botë i të gjitha kohërave, është shënuesi më i mirë në botë, me 1240 gola në 1393 ndeshje zyrtare dhe miqësore, portieri brazilian i San Paolos, Roxherio Ceni, është golashënuesi më i mirë i deritanishëm si portier: 83 gola, 31 prej tyre nga pika e bardhë e penalltisë dhe 45 nga gjuajtjet në lojë ose goditjet e ndalura.

Braziliani Rogerio Ceni, aktualisht 36 vjeç, është shndërruar në portierin më profilik në historinë e futbollit botëror. Portieri brazilian, një mjeshtër i padiskutueshëm i ekzekutimit të gjuajtjeve standarde, e shënoi golin e parë e shënoi më 15 shkurt 1997, në ndeshjen e kampionatin lokal Paulista, në ndeshjen Adnan Uniao Sao Joao - Sao Paulo (0:2) me anë të një goditje të lirë. Goli i fundit i tij daton më 26 gusht 2007, në kampionatin kombëtar në ndeshjen Sao Paulo- Capibaribe Recife (5:0) nga pika e penalltisë.
Legjendari Roxherio nuk humbi kurrë një ndeshje në të cilën ai shënoi. Ceni u lind më 22 janar të vitit 1973 në Pato Branko, një qytet i vogël i shtetit të Paranasë, në Jug të Brazilit. Karriera e tij sportive filloi me FC Sinop i shtetit Mato Groso. Në shtator të vitit 1990 ai u lojtar i Sao Paolos që në atë kohë drejtohej nga i famshmi Tele Santana, duke qenë zëvendësues i portierit të Kombëtares braziliane, Armelino Donizeti Kuagliato i njohur shkurt me emrin "Zeti".

Ishte trajneri Mauricio Ramalhlo, dikur ndihmës i “Mjeshtrit Tele”, i cili i mësoi Roxherios artin e gjuajtjeve të lira gjatë stërivitjeve, praktikë të që Ceni mund ta ketë bërë mbi 15 mijë herë. Roxherio e shënoi golin e tij të parë me gjuajtje të lirë më 15 shkurt 1997, në ndeshjen e kampionatin lokal Paulista, në ndeshjen Adnan Uniao Sao Joao - Sao Paulo (0:2), ndërsa më 13 shtator 1997, ai realizoi golin e parë në kampionatin brazilian kundër Botafogos së Rio De Zhaneiros. Goli i tij i parë ndërkombëtar u shënua gjithashtu me gjuajte të lirë, më 25 gusht të vitit 1999, gjatë “Kupës Mercosur”, kundër ekipit argjentinas San Lorenzo de Almagro. Disa nga golat e Cenit janë kompiluar në një videoklip që vazhdon të jetë shumë i shitur dhe i klikueshëm në internet.

Portieri kundërshtar argjentinas Gustavo Kampanjuolo ishte dhe portieri i parë, i cili pësoi tre gola në një ndeshje, të gjithë nga goditja e lirë. Deri në maj të vitit 2004, Roxherio Ceni kishte shënuar 29 gola, 26 prej tyre nga goditjet e lira. Goli i parë i tij në “Kupën Libertadores” u shënua kundër skuadrës peruane, Alianza, më 11 shkurt të vitit 2004, po me një goditje të lirë. Në vitin 2005, Roxherio u bë kapiteni i Sao Paolos me të cilën fitoi kampionatin barraziliane, Kupën Libertadores dhe Kampionatin Botëror të Klubeve.

Në vitin 2005 ai u votua si lojtari më i mirë i “Kupës Libertadores” dhe në dhjetor të vitit 2005 ai u bë portieri i parë që shënoi gjatë një kampionati të organizuar nga FIFA: një penallti e realizuar kundër kampiones së Azisë, Al-Ittihad (Arabia Saudite). Për Brazilin Roxherio luajti 17 herë, por pa mundur të realizojë, edhe pse u lejua të gjuante disa goditje të lira. Ai ishte pjesë e Kombëtares së Brazilit në Kupën e Botës 2002 dhe 2006. Roxherio ka zhvilluar deri tani mbi 800 ndeshje.

Legjenda Ceni, 83 gola

Roxherio Ceni (i lindur më 22 janar 1973, në Pato Branko, Parana, Brazil) ka luajtur më shumë se 800 ndeshje futbolli, duke fituar dy Kupa Libertadores (e barazvlefshme me Ligën e Kampioneve në Europë), 3 Kampionate Botërore të Klubeve. Ai është njohur nga Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS) si portieri që ka shënuar më shumë gola në historinë e futbollit: 83

Ivankovi “zbulon” Tiranën

Nga portierët që kanë shënuar më shumë gola, vetëm bullgari Dimitar Ivankov ka luajtur në përbërje të skuadrës turke Kajserispor në Shqipëri, në ndeshjen Tirana-Kajserispor, e vlefshme për takimin e parë të turit të dytë eliminator të Kupës UEFA për sezonin 2005-2006, ku bardheblutë shqiptarë humbën me rezultatin 2-0 dhe ndeshjen e kthimit 4-1.

Pesë portierët më të mirë golashënues

1.Roxherio Ceni (Sao Paolo, Brazil), 83 gola (31*/52**)
2.Hoze Kilavert (Montevideo, Paraguaj), 62 gola (45/17)
3.Rene Higuita (Cuacasia, Kolumbi), 41 gola(37/4)
4.Horge Kampos (Puebla, Meksikë), 40 gola (9/31)
5.Xhoni Vegas (Sporting, Peru), 30 (25/5)

* 31 numri i golave të realizuar me penallti
** 45 numri i golave të realizuar jo me penallti

Pele, “mbreti” i golit botëror

Braziliani Edson Arantes do Nascimento, apo ndryshe i mirënjohuri “Pele”, është edhe golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në ndeshjet zyrtare, duke futur këtu vetëm kampionatet. Pele, i cili ka luajtur në Brazil dhe SHBA në 560 ndeshje të luajtura në harkun e viteve 1957-1977 ka shënuar 541 gola. I dyti vjen Jozef Bican, i cili ka shënuar 518 gola në 341 ndeshje (1931-1955) në kampionatet e Austrisë dhe Çekosllovakisë së dikurshme. Hungarezi i madh Ferenc Pushkash mban vendin e tretë me 511 gola të realizuar në 533 ndeshje (1943-1966).

Pesë portierë ndër 100-të sportistët më popullorë

Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS) e vlerëson portierin brazilian si një nga 100 sportistët më popullorë nga ata që ende janë aktivë. 58 vende ishin të pranishëm në listën e hartuar, ndërkohë që nga gjashtë lojtarë brazilianë, dy prej tyre ishin portierë: Roxherio Ceni dhe Markos. “Jam shumë i lumtur që jam vlerësuar nga një organizatë e rëndësishëm. Jam shumë i kënaqur të shoh emrin tim pranë lojtarëve më të mëdhenj që vazhdojnë të bëjnë histori në futboll”, - tha Roxherio Ceni, i cili renditet i pesti në vitin 2008. Portieri i Realit të Madridit, spanjolli Iker Kasijas është i 15-ti, ndërsa ai i Çelsit, çeku Petër Ceh është i 18-ti, italiani Bufon, i 37-ti

Iker Kasijas, portieri më i mirë aktual

Portieri i Realit të Madridit, spanjolli Iker Kasijas, sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS) është aktualisht edhe portieri më i mirë në botë nga ata që ende luajë, kjo për vitin 2008. Kazijas, 249 pikë, ndiqet nga portieri i Juventusit, italiani Xhanluixhi Bufon me 170 pikë dhe ai Mançester Junaitid, Edvin Van der Sar (143 pikë). Roxherio Ceni, renditet i 11-ti në botë me 10 pikë.

Bufon, më i madhi i 20 viteve të fundit

Portieri i Juventusit, italiani Xhanluixhi Bufon, është dhe i madhi i njëzet viteve të fundit, 1987-2008. Këtë e jep Instituti i Statistikave dhe Historisë në Futboll (IFFHS), që ka hartuar një listë me 73 portierët më të mirë të botës e që të paktën kanë grumbulluar minimalisht 1 pikë. Bufon kryeson listën e me 78 pikë, i ndjekur nga danezi i famshëm i Mançester Junaitid, Petër Shmajkëll (69 pikë) dhe spanjolli i Realit të Madridit, Iker Kasijas me 63 pikë.

Gardianët shqiptarë në Europë

Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, janë disa nga pionierët e “gardianëve” shqiptarë në Europë. Këtyre u bashkohen edhe portierët aktualë të Kombëtares shqiptare A dhe të moshave (U-17 deri U-21): Arjan Beqaj (Anothosis Famagusta, Qipro), Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë), Ilion Lika (Terek Grozni, Rusi), Samir Ujkani (Novara, Itali). Në Itali luajnë edhe Xhino Sejdon (Venecia U-19), Deljan Bregasi (Sampdoria U-19). Në Greqi janë dy portierë, Enea Koliq (Iraklis) dhe Stiv Frashëri (Aris). Një tjetër portier që po ritet jashtë Shqipërisë është dhe Geri Lika (Shqipëria U-19) dhe që luan në Danimarkë me B93 Kopenhagen.

Goleadori Beqaj

Arjan Beqaj, portieri i kombëtares shqiptare dhe skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta, është një ndër portierët shqiptarë që kanë shënuar gol jo nga pika e bardhë e penalltisë. Beqaj shënoi gol nga loja kur luante me fanellën e Jonikosit në Greqi.

“Penalltisi” Musta

Ish-portieri i Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, Perlat Musta, ishte i pabagabueshëm në gjuajtjet e penalltive. Perlati vlerësohet si një nga sportistët më të mëdhenj. Musta shënonte shpesh në ndeshjet përcaktuese me 11-metërsha.

E Marte, 04 Gusht 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›