Portretet e të mbijetuarve, rrëfimet tronditëse të viktimave të sulmit me pager në Liban

Më shumë se 10 muaj pas sulmit me pager nga Izraeli, të mbijetuarit në komunitetet libaneze mbajnë ende shenjat fizike dhe emocionale të një tragjedie që tronditi vendin. Më 17 shtator 2024, mijëra pagerë të grupit Hezbollah shpërthyen në të gjithë Libanin, duke shkaktuar plagosjen e më shumë se 3,000 njerëzve dhe vdekjen e 12 të tjerëve, përfshirë dy fëmijë.
Ndërsa Izraeli e cilësoi këtë si një sulm të drejtuar ndaj Hezbollahut, grupet e të drejtave të njeriut e dënuan si një akt pa dallim. Një ekip i Associated Press kontaktoi gjashtë prej të mbijetuarve, të cilët ndanë rrëfimet e tyre për pasojat e tmerrshme.
Sarah Jaffal, 21 vjeç
Sarah Jaffal, studente 21-vjeçare, u zgjua atë mëngjes dhe mori një pager që i përkiste një anëtari të familjes. Ajo kujton se pajisja shfaqi mesazhin “Gabim” dhe më pas shpërtheu. “Papritmas gjithçka u errësua,” thotë ajo. Nga shpërthimi, Jaffal humbi një sy, një pjesë të madhe të gishtërinjve, dhe u dëmtua rëndë në fytyrë. Pas 45 ndërhyrjeve kirurgjikale dhe ndërsa pret të tjera, ajo gjen forcë te besimi i saj. “Zoti na ngarkon vetëm me atë që mund të durojmë.”
Zeinab Mestrah, 26 vjeçe
Për Zeinab Mestrah, 26 vjeçe, skena në spital pas sulmit ishte si një “thertore”. Ajo, e cila kishte marrë pagerin e një të afërmi, humbi majat e tre gishtave të dorës së djathtë. Rikuperimi i saj ka vonuar planet për një karrierë të re, por ajo shpreson për një të ardhme më të mirë. Ajo thekson se mbështetja e të fejuarit të saj është gjysma e shërimit të saj.
Mahdi Sheri, 23 vjeç
Mahdi Sheri, një luftëtar i Hezbollahut 23-vjeçar, ishte në shtëpi me familjen e tij kur pageri i tij bëri një bip të pazakontë dhe shpërtheu. Ai u trajtua fillimisht në Siri dhe më pas në Irak, ku iu vendos një sy protetik. I martuar me video-telefonatë me të fejuarën e tij, Mahdi flet për ndikimin e sulmit jo vetëm tek të mbijetuarit, por edhe te fëmijët që tani kanë frikë t’u afrohen baballarëve të tyre.
Hussein Dheini, 12 vjeç
Hussein Dheini, vetëm 12 vjeç, mori pagerin e babait të tij, një anëtar i Hezbollahut. Ai humbi syrin e djathtë dhe i ishin thyer dhëmbët. Nëna e tij, Faten Haidar, e përshkruan ngjarjen si një “makth”. Hussein, i cili dikur recitonte Kuranin me talent, tani ka vështirësi me frymëmarrjen. Familja u detyrua të zhvendosej dhe djali kalon kohë me fëmijë të tjerë të plagosur, duke shpresuar për operacione të tjera që mund t’i rikthejnë normalitetin.
Mustafa Choeib, 35 vjeç
Mustafa Choeib, një predikues 35-vjeçar i cili u jepte mësime fetare anëtarëve të Hezbollahut, u verbua dhe humbi tre gishta. Ai tregon se dy vajzat e tij shpesh luanin me pagerin e tij. Pavarësisht dëmtimeve, ai ka rifilluar punën si mësues, por alarmi i makinës së tij i kujton vazhdimisht zhurmën e pagerit. Ai shpreh frikën se mund të humbasë edhe dëgjimin.
Ali Abbas, 11 vjeç
Ali Abbas, 12 vjeç, mori pagerin e babait të tij. Familja fillimisht mendoi se kishte shpërthyer televizori. Pas 10 operacioneve, ai humbi një sy dhe gishta. Pas daljes nga spitali, familja e tij u detyrua të lëvizte, pasi pronari i apartamentit të sapomarrë me qira kishte frikë se mund të ishin sërish shënjestër e një sulmi. Pasi u ribashkua me miqtë e tij, Ali pret operacione të tjera për t’u shëruar plotësisht.
/rtsh.al/