E Shtunë, 31 Tetor 2026

Portugali Porto shume prane titullit kampion

Kampionati portugez duket se e ka zgjidhur enigmën e titullit kampion dhe skuadra fituese besohet të jetë Porto.
Kampionia në fuqi e Portugalisë fitoi ndeshjen vendimtare, atë ndaj Benfikës në stadiumin e saj “Dragao”, me rezultatin 2-1, ndërsa mbetet edhe një javë deri në përfundim.
Përballja nisi shumë keq për vendasit, pasi Lima kaloi në epërsi miqtë nga Lisbona.
Gjithsesi, brenda pjesës së parë, Porto barazoi me një autogol të Pereirës.
Në pjesën e dytë, në fushë për bardheblutë hyri zëvendësuesi Kelvin.
Ishte pikërisht ky lojtar që realizoi golin e fitores dhe ndoshta të titullit në sekondat e fundit të ndeshjes.
Kjo bëri që trajneri i Benfikës, Zhorge Zhesus, të ulej në gjunjë, duke e ditur se titulli ishte i humbur.
Vendasit kanë tani 75 pikë ndaj 74 të kryeqytetasve.
Për Porton ky do të ishte titulli i tretë radhazi dhe i 27-ti në histori, ndërsa Benfika synon trofe në finalen e Ligës së Europës dhe në finalen e Kupës së Portugalisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›