Portugalia përpara, Holanda në shtëpi

Gjermania dhe Portugalia janë dy çerekfinalistët tjerë të Kampionatit Evropian ‘Euro 2012’. Portugezët e siguruan një biletë në mesin e tetë më të mirëve pasi e mposhtën Holandën, në ndeshjen vendimtare të Grupit B.
Cristiano Ronaldo, pas paraqitjeve të zbehta në dy takimet e para, i ka heshtur kritikët, duke realizuar dy gola për portugezët, një në pjesën e parë dhe një në atë të dytë (28’ e 74’). Ylli portugez pati edhe dy mundësi të mira, kur e goditi dy herë shtyllën.
Ndërkohë, nënkampioni i botës – Holanda, u eliminua herët, pasi zhgënjeu në të gjitha përballjet.
‘Tulipanët’ kaluan në avantazh në minutën e 11-të, pas një goli të bukur të realizuar nga Rafael van der Vaart, mirëpo ata nuk arritën ta ruanin këtë epërsi, duke shfaqur një lojë të zbehtë.
Në fund të ndeshjes, mesfushori i Tottenhamit e goditi shtyllën, pas një gjuajtjeje të fuqishme. Kështu, Holanda e mbylli fazën e grupeve në mënyrën më të keqe të mundshme, me tri humbje nga po aq ndeshje.
Në duelin tjetër, Gjermania e konfirmoi formën e mirë, duke e regjistruar fitoren e tretë dhe duke e kompletuar fazën e grupeve në mënyrë perfekte. ‘Die Mannschaft’ ia zbehën gjasat për kualifikim Danimarkës, ndaj së cilës fituan 2:1.
Lucas Podolski e kaloi ekipin e Joachim Low në epërsi në minutën e 19-të, kurse Krohn-Dehli ia ngjalli përkohësisht shpresat ekipit skandinav, pas golit të realizuar 5 minuta më vonë.
Mirëpo, goli i Bender, i shënuar në minutën e 80-të, ia siguroi tri pikët e radhës ekipit gjerman. Në çerekfinale, Gjermania do të luajë me Greqinë, kurse Portugalia me Republikën Çeke.
Euro 2012
Grupi B
Rezultatet
Portugalia – Holanda 2:1
Danimarka – Gjermania 1:2
Tabela
1. Gjermania 9 pikë
2. Portugalia 6
3. Danimarka 3
4. Holanda 0