Posselt: PE nuk e njeh mbishkrimin për Kosovën

Eurodeputeti gjerman nga CSU, Bernd Posselt ka theksuar se mbishkrimi për Kosovën është një sëmundje por që mund të shërohet, informon agjencia e lajmeve INA.
Ai këtë e ka theksuar në një tubim me emigrantët shqiptarë të organizuar nga Shoqata Bavareze – Kosovare në Munich të Gjermanisë, ku i është përgjigjur pyetjeve.
"Mbishkrimi është një sëmundje, e cila është e dëmshme, por nuk është edhe e pashërueshme. Sëmundja do kurim, por të mos harrojmë se nuk mund të shërohet brenda natës“, theksoi eurodeputeti gjerman.
"Mbishkrimi është një derë për dialog dhe pjesëmarrje direkte, që ishte kërkesë nga ato pesë vende të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, por shumë më me rëndësi është, që ato 22 vende të cilat e kanë njohur Pavarësinë, nuk e kërkojnë, që të jetë në protokolin e marrëdhënieve me to. Pra, Parlamenti i Europës me dy të tretat e ka njohur Kosovën, prandaj edhe nuk e njeh mbishkrimin“’, ka theksuar eurodeputeti gjerman nga radhët e CSU.
Sipas tij, në dy javët e ardhme do të jetë në Strasburg një debat i nxehtë, në lidhje me Statusin e Kosovës dhe mbishkrimin, ku do të marrë pjesë edhe ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj.
„Ne jemi miq të Kosovës dhe, me këtë e dëshmojmë, sepse asnjë popull deri sot nuk e ka marrë çmimin SAHAROV për të Drejtat e Njeriut dy herë, përveç se shqiptarët: Adem Demaçi edhe Ibrahim Rugova. Prandaj, ju nuk duhet t`i merrni gjërat me nxitim, sepse edhe bujku një herë e hedh farën, pastaj e punon tokën e tek në fund të vitit i merr frytet. E, ju shqiptarët jeni shtet i ri, por edhe popull me shumicë - rini, prandaj edhe i merrni gjërat me ngutë, sepse edhe unë e ti, nuk e di se çka do të kishim bërë, sikur të kishim qenë në vendin e Kryeministrit të Kosovës, ndoshta do të kishim pranuar e nënshkruar edhe për Fusnotën, sepse rreziku për izolim, e ndryshon qëndrimin“, theksoi Posselt.
Duke u pyetur lidhur me qëndrimin e kryeministrit Hashim Thaçi për marrëveshjen e fundit, Posselt ka shtuar se edhe „Thaçi nuk e deshti Fusnotën, por se kjo është një rrugë, pak sa më e tërthortë e aspiratave të shqiptarëve të Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe se as Opozita nuk do të kishte pasur rrugë tjetër, pos pranimit të Fusnotës“.