E Diel, 1 Nëntor 2026

Post Fest 64- Reflektim mbi emocionet dhe suksesin e Festivalit të Këngës

Pas performancave artistike, emocioneve, muzikës live dhe rivalitetit të fortë artistik, Festivali i 64-të i Këngës në RTSH erdhi këtë të diel në një formë tjetër reflektimi dhe analize.

Drejtpërdrejt nga Pallati i Kongreseve, nën moderimin e Fjodora Fjores, Post Fest 64 u ndal te momentet kulmore të katër netëve të festivalit.

Post Fest është i organizuar në 4 panele ku do të jenë të ftuar të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e Fest 64, por jo vetëm, për të diskutuar jo vetëm mbi suksesin e padiskutueshëm të këtij edicioni të Festivalit të Këngës, por edhe sfidave.

Producentja e Fest 64, Belioza Çoku e përshkroi intensitetin e festivalit si një përvojë që kërkon kohë për t’u përthithur. “Jemi akoma pak të mpirë, do të dojë pak kohën e ve, por për një sipërmarrje kaq të madhe ja vlen”, tha ajo.

Gazetarja Migena Kraja vuri në dukje ndërthurjen mes traditës dhe risisë. “Është një festival që përqafon rrymat e reja, artistët e rij. Mbetet si skena që promovon artistët e rinj dhe ishte një ndërthurje mjaft e bukur e asaj që ka trashëguar ndër vite dhe që e përqafon mjaft mirë edhe të renë”, u shpreh gazetarja.

Bojken Lako e cilësoi Fest 64 si një sukses të plotë.

“Një festival shumë i mirë. që kur pashë skenografinë, ndriçimin, konceptin e regjisë. Gjithçka ishte me finesë, balancën e duhur të asaj që është ekstravagante. Edhe konceptin e afrimit të të rinjve. Një festival goxha i suksesshëm i cili është në një vazhdimësi shumë të mirë he e mban këtë festival me tradita një institucion shumë të rëndësishëm, kulmor në fund të vitit për promovimin e muzikës shqiptare në përgjithësi”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›