E Diel, 1 Nëntor 2026

Posta Shqiptare: Shkelje në administrimin e fondeve në filialin e Durrësit, kallëzim penal në Prokurori

TIRANË, 14 korrik/ATSH/ Posta Shqiptare informoi sot se gjatë kontrollit në filialin e Durrësit ka konstatuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.

Në një njoftim për shtyp Posta Shqiptare theksoi se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Sipas saj, vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm procedurialë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›