Posti i sherrit

Shtatë ish-profesorë të Fakultetit të Studimeve Islame në Universitetin e Prishtinës, duket se assesi nuk po mund të rehatohen. Pas shumë reagimeve të tyre për shkak të largimit nga procesi mësimor, ata tash kundërshtojnë edhe zgjedhjen e Qazim Qazimit, dekan të ri të këtij fakulteti. Këta profesorë pretendojnë se Profesor Qazimi nuk e meriton atë detyrë, madje as sipas ligjit, dhe akuzojnë Bashkësinë Islame të Kosovës, saktësisht myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, se këtë po e bën me prapavijë tendencioze. Por zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës i mohojnë këto akuza të ish-kolegëve të tyre, duke sqaruar se zgjedhja e dekanit të ri të këtij fakulteti është bërë në bazë të të gjitha normave ligjore dhe kritereve të kërkuara.
Pavarësisht kësaj, shtatë profesorët e larguar nga Fakulteti i Studimeve Islame, të cilët pretendojnë se janë dëbuar dhunshëm dhe padrejtësisht nga detyra e ligjëruesve në këtë institucion arsimor, me vendim të krerëve të Bashkësisë Islame, kanë reaguar ndaj zgjedhjes së Qazim Qazimit si dekan i Fakultetit të Studimeve Islame. “Zgjedhja dhe emërimi, javën e kaluar, i Qazim Qazimit dekan të FSI-së me profesion filolog i letërsisë shqipe, në moshën tij 65-vjeçare, është në kundërshtim edhe me ligjin e vendit, duke injoruar të gjithë kandidaturat e kandidatëve të tjerë meritorë, të paraqitur disa herë në konkurse zyrtare, me tituj shkencorë në fushën e ngushtë të studimeve islame, është veprim me prapavijë tendencioze, pas të cilit fshihen qëllime dhe interesa të ngushta të vetë myftiut të Kosovës, Naim Tërnava dhe shokëve të tij të ngushtë”, thuhet në reagimin e ish-profesorëve të FSI-së, dërguar mediave.
Në reagimin e tyre, profesorët Musa Vila, Lulzim Esati, Xhabir Hamiti, Sabri Jonuzi, Enver Xhiha, Idriz Bilalli dhe Emin Behrami, kanë deklaruar se emërimi i profesor Qazimit në postin e dekanit të këtij Fakulteti, do t’i mundësojë kryetarit aktual të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnavës dhe shokëve të tij, që të mbizotërojnë në procesin mësimor në Fakultetin e Studimeve Islame, duke emëruar dhe shkarkuar kuadro sipas preferencave dhe shijes individuale dhe jo sipas kritereve akademike dhe shkencore.
“Asnjëri nga ana e Kryesisë nuk i plotëson kriteret për mësimdhënie, të cilët të gjithë janë në procesin mësimor, ndërsa ne profesorët me tituj më të lartë shkencorë dhe me dokumentacion të rregullt, bredhim rrugëve pa punë, vetëm pse nuk u pajtuam me politiken denigruese të Fakultetit dhe suprimimin e autonomisë akademike, të cilën e bëri kryetari i BIK-ut”, thuhet më tej në këtë reagim të profesorëve. Ndërmjet të tjerash, ata pretendojnë se emërimi i dekanit të ri mundëson mësimdhënien nga ana e ligjëruesve pa tituj shkencorë ose me tituj falsë të blerë nëpër rrugët e Kajros në Egjipt. Ky emërim, sipas tyre, mundëson ngritjen e profesorëve të dyshimtë të ndikuar nga ideologjitë e huaja me orientime ekstreme. Nisur nga këto, ish-profesorët kërkojnë nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Drejtësisë që të mos rrinë duarkryq, por të merren me “parandalimin e shkeljeve dhe marifetllëqeve të paskrupullta që nuk i kanë hije asnjë institucioni, e më së paku Bashkësisë Islame”.
Por zyrtarë në BIK-ut mohojnë akuzat e ish-kolegëve të tyre, me arsyetimin se zgjedhja e dekanit është bërë në bazë të të gjitha normave ligjore dhe kritereve të kërkuara. Resul Rexhepi, sekretar në BIK, thotë për Express se dekani i ri është zgjedhur nga Këshilli Mësimor-Shkencor i Fakultetit të Studimeve Islame. Sipas tij, me statut të Fakultetit dhe Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e dekanit bëhet pasi që kandidatët vlerësohen nga Këshilli Mësimor-Shkencor. “Dekan Qazimi ka marrë më së shumti pikë nga të gjithë kandidatët që kanë konkurruar”, thotë Rexhepi.
Ai tregon se Këshilli Mësimor voton kandidatët më të mirë dhe Qazimi ka marrë shtatë vota nga ky këshill. Duke shpjeguar procedurën e zgjedhjes së dekanit, sekretari i BIK-ut shpjegon se më pastaj, dy emrat më të votuar i dërgohen Kryesisë, në mënyrë që të bëhet edhe emërimi. “Neve na kanë ardhur dy emra dhe normalisht kemi emëruar në postin e dekanit Qazimin, pasi që ai ka pasur vota më së shumti”, thotë Resul Rexhepi.
Ndryshe, në këtë fakultet edhe më herët ka pasur probleme ndërmjet profesorëve tash të larguar dhe krerëve të Bashkësisë Islame. Krejt kjo kishte ndodhur për shkak të largimit nga posti i dekanit Xhabir Hamiti. BIK-u po ashtu ka përjashtuar nga procesi mësimor edhe disa profesorë për shkak se jozyrtarisht thuhej se ishin përkrahës të ish-dekanit Hamiti. Madje njëri nga këta profesorë, Emin Behrami, pati publikuar në Express disa të dhëna, sipas të cilit ishin dëshmi për ngacmime seksuale të nxënësve të medresesë nga ana e profesorëve.