Pragu eliminon parazitizmin
Pragu elektoral prej 2.5% e humbi vlefshmërinë. Kjo formulë ka gjeneruar një anarki përfaqësimi, një prani të ekzagjeruar të partive të vogla në Parlament dhe Qeveri, vështirësi në vendimmarrje, kthimin e disa partive të vogla në klube shpërbetarësh, zbehje të aktivitetit krijues brenda partive të mëdha, humbje të besueshmërisë së institucionit të partisë politike etj. Në këto kushte po lulëzon fenomeni i partive shantazhiste pa kontribut të qartë politik, i partive parazitare pa elektorat, i partive pa oferta apo oferta politike spekulative. Pa një mbështetje elektorale reale, partitë e shantazhit janë të hapura për të gjitha llojet e spekulimeve. Fakti që nuk përfaqësojnë pjesë të mirë evidentuara të masës shoqërore, nuk kanë presionin e llogaridhënies elektorale, i bën të afta për fushata negativiste, me pasoja mbi produktivitetin politik.
Përpara se të trajtojmë disa nga përfitimet e rritjes së pragut elektoral, do ishte e udhës të theksonim se ndryshimi i tij nuk dëmton përfaqësimin parlamentar të kategorive të vogla sociale. Shumica e vendeve të rajonit e kanë vendosur në kodet e tyre elektorale një prag elektoral 5% e më shumë, pa eliminuar mundësitë e përfaqësimit të komuniteteve politike minoritare. Interesat diktojnë partitë e vogla të fillojnë negociatat ndërmjet tyre për të formuar parti që të përfaqësojnë më shumë kategori sociale me interesa të përafërta, për të bërë të mundur hyrjen e tyre në parlament. Kudo dhe në çdo kohë, grupet shoqërore kanë ditur të gjejnë mënyrat për t'u imponuar me interesat e tyre në jetën politike të një vendi. Përsa i përket realitetit shqiptar do t'ju sugjeroja lexuesve të mundohen të bëjnë një asocim të mundshëm midis partive të vogla dhe ndonjë pjese shoqërore që ato pretendojnë se përfaqësojnë. Me ndonjë përjashtim, e kemi të vështirë të evidentojmë se kë përfaqësojnë këto parti që përbëjnë sot rreth 25% të legjislativit. Në emrin dhe interesat e kujt, këto parti personale kërkojnë të marrin dhe ushtrojnë pushtetin politik?
Reforma elektorale duhet të sigurojë kalimin nga partitë personale-klienteliste tek partitë përfaqësuese të kategorive sociale të qenësishme që luftojnë për realizimin e vlerave morale universale dhe interesave të përgjithshme. Por a mund të pritet ky transformim nga vetë partitë politike? Të zëna ngushtë nga rrezikimi i karrierave politike, ushtrimi apo marrja e pushtetit, aktorët e politikës e kanë thuajse të pamundur të vetëkurohen nga ky fenomen. Të ndodhur në një konflikt interesi të drejtpërdrejtë (partitë e vogla) apo të tërthortë (partitë e mëdha), bëhet e domosdoshme nxitja nga aktorët jashtë klasës politike të reformës elektorale si çelësi i reformimit të elitës politike. Në mungesë të iniciativave të klasës politike për konsultime me shoqërinë civile, masmedian apo testimeve nëpërmjet sondazheve të opinionit publik, jemi të detyruar të militojmë për rritjen e pragut elektoral si mekanizmi që prodhon efekte pozitive në varg mbi parlamentarizmin, qeverisjen dhe jetën politike të një shoqërie.
Rritja e pragut elektoral nga 2.5% në 5% për partitë, dhe nga 4% në 7-10% për koalicionet me 2 apo më shumë parti, siguron eficiencën demokratike në ushtrimin e pushtetit politik. Ky sistem do eliminonte partinë pa elektorat, partinë-lider me forcë presioni dhe do inkurajonte fuzioniminë duke krijuar në skenën politike parti me programe minoritare të qëndrueshme dhe me peshë sociale për koalicione. Rritja e pragut elektoral u jep shansin të evidentohen pikërisht grupimet serioze që përfaqësojnë rryma sociale të qenësishme që dallohen nga doktrina, sistemi i vlerave dhe ideve, të rrënjëzuara në jetën social-ekonomike të vendit, me përfaqësim dhe mbështetje elektorale të dukshme. Kushtet e reja do obligojnë partitë e vogla të nguliten në realitetin social të vendit, të shtojnë cilësinë e produkteve politike dhe të rrisin cilësinë e përfaqësimit elektoral dhe politik. Në këtë formë eliminohet spekulimi, shantazhi dhe parazitizmi nga jeta politike. Procesi i shkrirjes midis tyre apo shkrirjes në partitë e mëdha për të krijuar parti me potencial elektoral dhe qeverisës, do përbënte një hyrje në normalitetet demokratike. Kësisoj përmirësojmë perceptimin shoqëror mbi institucionin e partisë politike dhe eliminojmë tezën se partitë e vogla mbijetojnë vetëm falë instinkteve makiaveliste të individit që i ka krijuar dhe nevojës së lidershipit të partive të mëdha për të krijuar një alibi (segmentimi i pushtetit me "aleatët") ndaj deficitit të brendshëm demokratik. Është momenti të bëjmë dallimin midis partive të vërteta dhe formacioneve politike fiktive. Rritja e pragut do përqendrojë ofertat dhe përfaqësimin politik, duke bërë të mundur rritjen e seriozitetit të klasës politike dhe eficientizimin e aktit qeverisës. Lëshimet informale ndaj partive pa peshë përbëjnë një kosto të papranueshme për ekonominë e vendimmarrjes legjislative dhe asaj ekzekutive. Pragu 5% do frenojë rritjen artificiale të aktorëve politikë të cilët kanë prekur deri më tash cilësinë e ushtrimit të pushtetit dhe aktit guvernamental. Numri i partive parlamentare do përgjysmohej. Kjo lëvizje do sigurojë koalicione qeverisëse me 2-3 parti, konfiguracione ekzekutive shumë më produktive dhe ekonomike se ato me 6-7 parti. Buchanan & Tullock konkluzionojnë që kostot e negocimit dhe arritjes së marrëveshjes midis 6 subjekteve, janë më të mëdha sesa ato të arritjes në të njëjtën marrëveshje midis 3 prej tyre. (Për më shumë shikoni: J.M.Buchanan, G.Tullock, "The Calculus of Consent. Logical Foundations of Constitutional Democracy", Kapitulli 8, 14). Toleranca ndaj parazitizmit në politikë mund të çojë drejt infektimit të sistemit, humbjes së besimit në legjitimitetin e aktorëve politikë dhe sistemin demokratik. Jetojmë në kohët kur serioziteti i të bërit politikë, përbën një imperativ etik dhe civilizues.
*Autori është Doktor Shkencash në Politika Publike