E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratisja drejt imazhit

Natën e ndërrimit të viteve mora prindërit në telefon nga Nju Jorku, që ziente nga miliona njerëz të shpërndarë nëpër një det drite, festimesh, e blicesh turistësh. "Vetëm para dy orësh na kanë ardhur dritat,- tha ime më,- e di ti si është...!". Dihet si është, por ja që në Rokfeller Center edhe harrohet. Në këtë kontekstin e errësirës, të merresh me Mozaikun në ballë të Muzeut në qendër të Tiranës, mund të duket si humbje kohe. Përveç "gjërave të vogla", si uji dhe dritat, ka edhe gjëra më të mëdha si çështja e Kosovës. Muajt në vazhdim, në fakt, do jenë më të rëndësishmit (por edhe më delikatët). Sipas një zyrtari të lartë të Kombeve të Bashkuara p.sh., (që foli në kushte anonimati), serbët janë treguar më të aftë, si në parashikimin e dinamikave politike, ashtu edhe në influencimin e perëndimorëve. Nga ana tjetër, diplomacia e Tiranës në të shumtën e kohës merr formën e një zyre përkthimi dhe të një agjencie udhëtimesh javore dhe pompoze nëpër kryeqytete evropiane. Ndërkohë që Shqipëria mbetet vendi më i izoluar në Evropë dhe qytetarëve shqiptarë u cenohet dinjiteti ritualisht, si brenda vendit edhe jashtë tij.
Pra, në këtë kontekst sfidash, a ia vlen të flitet për Mozaikun? Marrëdhënia jonë me historinë, me imazhet dhe kundër-imazhet e saj, është sa e rëndësishme aq edhe e komplikuar. Edhe nën regjimin e izolimit të vizave nga gjithë kontinenti dhe papërgjegjshmërisë kronike të elitave, kjo marrëdhënie ia vlen të trajtohet. Por si mund të synohet një angazhim kritik me të kaluarën, kur trashëgimia institucionale socialiste vazhdon të organizojë jetën në vend?
Nga vjen kjo nevojë e gjithanshme për t'u kapur me imazhin e institucioneve, jo me substancën? Vjen ndoshta si refleks post-socialist i mënyrës si ju mëshohej imazheve si armë propagandistike nën diktaturë?
Nuk është e çuditshme që trashëgimia e socializmit të vazhdojë të diskutohet në publik (ashtu si ka ndodhur e vazhdon të ndodhë, që nga Berlini deri në Moskë). Socializmi ishte një proces masiv homogjenizimi kulturor dhe institucional, kështu që edhe ripërtypjet e së kaluarës do jenë të ngjashme, si në Shqipërinë pa drita, ashtu edhe në Poloninë anëtare të Bashkimit Evropian. E veçanta e trajtimit shqiptar, megjithatë, është se sa më shumë thellohet konteksti i pakënaqësisë së heshtur, aq më i fuqishëm bëhet mëshimi ndaj sipërfaqësores. Sa më shumë Shqipëria integrohet me mënyrat e veta në një treg global që kapitalizon me imazhin, aq më të shpeshtë bëhen ministrat mediatike, organizatat aktiviste mediatike dhe ndryshimi mediatik. A nuk është interesante se si vazhdohet të flitet për rishkrimin e historisë, ndërkohë që arkivat operojnë ende si institucione socialiste? Në Bibliotekën Kombëtare p.sh., për të lexuar libra apo për të bërë kërkime duhet të përballesh me burokracinë socialiste të transportuar në shek.21. Për të mos folur për degradimin e Galerisë Kombëtare apo të institucioneve të tjera të artit dhe kujtesës. Nuk është i çuditshëm diskutimi për mozaikun në vetvete por është tepër i çuditshëm diskutimi për fasadën, pa folur për brendinë e muzeut... Në një kohë kur institucionet funksionojnë si parti politike apo grupime tribale, ku duhet zhvendosur debati për të kaluarën? Një ditë, kur të kemi mbaruar me shtesat pa leje, me pallatet, me garazhet, vilat, plazhet dhe kur çdo imazh i sikletshëm të jetë zëvendësuar me një imazh më të ri e më "perëndimor", çfarë do të ketë mbetur?
*Autori është kandidat për Doktoraturë në Historinë Moderne Evropiane në Princeton University

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›