Pranga 36-vjeçarit, dyshohet se siguroi makinën e vrasjes së Kristian Markut në Vlorë

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Një 36-vjeçar me origjinë nga Kukësi është ndaluar pasi siguroi automjetin e përdorur për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi.
Në vijim të veprimeve intensive nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë ndalimi i shtetasit: E. C., 36 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, i dyshuar për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, u arrit të dokumentohej se automjeti i përdorur nga autori/ët për vrasjen e shtetasit Kristian Marku alias Kristian Bardhi është siguruar nga shtetasi E. C., lindur dhe banues në qytetin e Kukësit.
Njëkohësisht, gjatë periudhës hetimore janë kryer veprime dhe janë sekuestruar prova që i shërbejnë hetimit me qëllim zbardhjen e ngjarjes.
Në bashkëpunim të ngushtë me Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. /j.p/