E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga policit që shoqëronte komisar Tahirajn, shpallet në kërkim tjetri

Adem Tahiraj

Ministria e Brendshme ka bërë të ditur se ka arrestuar një punonjës policie, që ishte në makinë me kryekomisar Adem Tahirajt në momentin që u vra ai.

Bëhet me dije se i arrestuari është polici Fatmir Hoxha, njëkohësisht shofer i Tahirajt. Ndërkohë është shpallur në kërkim polici tjetër, Kastriot Gosturani.

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka hetuar për të dy këta policë pas raportimeve se ata nuk kanë reaguar për të mbrojtur kryekomisar Tahirajn.

Pas përfundimit të hetimit nga SHKB, ndaj tyre ka nisur procedim penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë, pati dyshime për qëndrimin e dy policëve të tjerë, të cilët panë se si u vritej përpara syve të tyre shefi i komisariatit të Shijakut.

Madje Fatmir Hoxha, në dëshminë e tij ka deklaruar se në momentin që Ilir Xhakja ka qëlluar mbi kryekomisar Adem Tahirajn, atij i ka rënë të fikët dhe nuk mban mend gjë.

Ende ka disa dilema në lidhje me këtë aksion të policisë, ndërkohë që prokuroria po vijon hetimet e saj.

Ilir Xhakja, i akuzuari kryesor për këtë vrasje, është vënë në pranga, ndërkohë që i lirë mbetet nipi i tij, Ledion Krasnajn, për të cilin mendohet se ka nisur përplasja.

Xhakja ka deklaruar se mendonte se ishte një kurth i përgatitur nga policia. Ai është shprehur se ka pasur një konflikt me Fatmir Hoxhën. Por ky i fundit ka deklaruar se nuk e njeh Xhakjan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›