E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shalsi: Ministria e Bujqësisë 400 mijë $ për reklama

Deputeti Eduard Shalsi tha se kjo ministri është në vështirësi fondesh kur bëhet fjalë për të ndihmuar fshatin, por nuk kursehet aspak kur bëhet fjalë për t’i dhënë paratë e taksapaguesve për të ushqyer një televizion që i shkon pas oreksit qeverisë dhe kryeministrit.

“Kjo qeveri dhe kjo ministri që u premtoi fshatarëve që do t’i rimbursonte me 6 % TVSH për shitjen e produkteve bujqësore, mashtrim. Kjo ministri që u premtoi fermerëve se nuk do t’ua shiste karburantin me më shumë se 40 lek për litër, gënjeshtër e madhe. Më duhet ta ritheksoj sikundër edhe herët e tjera edhe sot do t’i referohemi një dokumenti zyrtar. Është përgjigja që një ministër, e pikërisht ai i Bujqësisë, Genc Ruli, i ka dhënë një kolegut tonë deputet. Pra, flasim mbi shifra dhe mbi të dhëna zyrtare”, tha Shalsi.

Ai tha se Ministria e Bujqësisë ka shpenzuar rreth 400 mijë dollarë për reklama, kryesisht gjatë vitit 2009 dhe 2011, ku edhe ka pasur zgjedhje. “Nuk kanë para për të bërë thertore kafshësh, ndërkohë që janë të gatshëm të therin paratë publike për të ushqyer klanin e tyre të pangopur. Kjo është e vërteta të cilën ne po ua zbulojmë shqiptarëve përditë. Si gjithmonë nuk mund të bënte përjashtim edhe në këtë ministri kompania Promo e Klanit familjar, ndërkohë që figuron edhe një tjetër kompani, Cover Media natyrisht jo e rastësishme në përzgjedhje. Asgjë nuk është e rastësishme në këtë qeveri”, shtoi. /Start/

                                                                                             2012-09-20 16:50
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›