Prangosen dy persona për "tentativë vrasjeje"
Brenda 24 orëve, në kryeqytet tri krime ndaj jetës. Arrestohen autorët
TIRANË- Arrestohen dy persona, të cilët akuzohen për vrasje të mbetur në tentativë, të dyshuar si autorë të dy plagosjeve me thikë.
Ngjarja e parë ka ndodhur në rrugën "Murat Toptani", në orët e vona të së hënës, ku Aleksandër Toma, 22 vjeç, pas një sherri ka qëlluar me thikë kamerierin e një lokali, ku Toma po e frekuentonte bashkë me një bashkëmoshatarin e tij.
Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Tiranës, 22- vjeçari me banim në Paskuqan, ka qëlluar me thikë, Erjon Hysën, 20 vjeç, i cili punonte si kamarier në lokalin ku ndodhi sherri.
Ndërkohë, pas plagosjes së bashkëmoshatarit të tij, Toma është arrestuar në flagrancë nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, për akuzën e "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë".
Sipas burimeve policore, mësohet se shkak i nisjes së konfliktit ka qenë thyerja e orendive të lokalit ku punonte 20 -vjeçari Hysa, ku pas tentativës së këtij të fundit për të ndaluar veprimin e dy klientëve dyshohet se është qëlluar me thikë nga Aleksandër Toma.
Ndërkohë, të njoftuar për konfliktin midis të rinjve, forcat e rendit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, ku pas arrestimit të autorit të dyshuar të plagosjes kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e nisjes së konfliktit.
Po gjatë ditës së hënë, një tjetër tentativë vrasjeje është regjistruar në periferi të Tiranës, në Komunën Zall- Herr, ku pas një sherri midis dy të afërmeve për motive të dobëta, ka përfunduar në prangat e policisë Nuri Alushi, 35 vjeç, me banim në këtë zonë. Sipas njoftimit zyrtar të policisë në lidhje me ngjarjen, i arrestuari ka tentuar të vrasë me thikë Gëzim Alushin, 35 vjeç.
Sipas të dhënave nga policia mësohet se të dy personat me mbiemër Alushi banonin pranë njëri-tjetrit, ndërsa konflikti midis tyre ka lindur pas një zënke të momentit në Zall- Herr.
Pas tentativës për ta goditur me thikë të afërmin e tij, 35- vjeçari Nurij Alushi nuk ka mundur që të largohet dhe pas disa çastesh është arrestuar nga efektivat e Policisë së kryeqytetit me akuzën e "vrasjes së mbetur në tentativë.
Mësohet se ndaj dy ngjarjeve materialet hetimore do t'i kalojnë Prokurorisë së kryeqytetit e cila do të hetojë më tej në lidhje me dy konfliktet që janë mbyllur pa pasoja të rënda.
----------------------------------------------------------------
BICJA
Bicja: Berisha foli me kryetaren e Bashkisë ditën e ngjarjes së Cërrikut
TIRANË- Ish-drejtuesi i Komitetit të Shpëtimit në Cërrik tashmë i pandehuri
për "masakrën" e ndodhur në këtë qytezë, Llazar Bicja, përsëriti dëshminë e tij dhënë kohë më parë para kësaj gjykate në lidhje me ngjarjen e marsit 1997. Sipas dëshmisë së tij, mohoi në mënyrë kategorike të ketë qenë në vendin e ngjarjes ku u vranë në pritë 6 gardistët dhe 15 të tjerë u plagosen.
"Ditën e ngjarjes kam qenë brenda në Bashki tek zyra e kryetares Mishelina Milo bashkë me shtetasin Rushan Mimi. Kur kanë filluar të shtënat, kemi iku dhe fshehur në një bodrum të shtëpisë së kryetares së Bashkisë pasi ikëm nga ndërtesa për shkak të frikës së po na vrisnin.
Kam qëndruar në një bodrum të kryetares së Bashkisë deri në kohën kur kanë pushuar krismat. Në atë kohë, kam marrë në telefon Presidentin e asaj kohe, Sali Berisha ku ka biseduar me kryetaren e Bashkisë Milo dhe i ka treguar se "banorët e Cërrikut kanë vrarë disa policë".
Pas kësaj telefonate kemi dalë jashtë dhe kemi parë duke u djegur makinat dhe më pas kemi mësuar se janë vrarë disa persona"-tha Bicja, duke këmbëngulur se nuk ka qenë drejtues i kësaj prite apo të ketë qëlluar ndaj policëve.
Sipas akuzës, nëntë të pandehurit në bashkëpunim edhe me persona të tjerë që tashmë janë vrarë, kanë organizuar pritën ndaj efektivëve blu që ishin nisur nga Elbasani për të ringritur Komisariatin e Policisë së djegur. Me të hyrë në qytet ata janë përballur me plumbat e të pandehurve, ku kanë mbetur të vrarë 6 efektivë të gardës dhe 15 të tjerë janë plagosur.