E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera Arabe se ka bërë më të mirë politikën

The 2012 World Press Photo of the year by Spanish photographer Samuel Aranda, for The New York Times, shows a woman holding a wounded relative during protests against president Saleh in Sanaa, Yemen, Oct. 15, 2011.

Valeria Dedaj

Aktivistët sirianë publikuan dje një video ku, sipas tyre, dëshmohet një tjetër masakër e civilëve nga forcat pro-qeveritare në Siri. Është masakra e tretë brenda një jave: 13 punëtorë të një fabrike detyrohen me forcë të zbresin nga autobusi dhe ekzekutohen nga milicët shabiha. Vëzhguesit e OKB-së në terren, nisur nga pretendimet e aktivistëve sirianë kanë konfirmuar tashmë edhe masakrën e 108 vetave në Hula, – 49 fëmijë dhe 34 gra – edhe vrasjen 13 të tjerëve në Deir Al Zur.

Kjo është kronika që përcjellin mediat në Shqipëri për zhvillimet më të fundit nga vendet arabe.

Është lënë pas një vit i plotë qyshse u përmbys regjimi i Bin Alisë në Tunizi, që provokoi si kurrë ndonjëherë njëri pas tjetrit revoltat e vendeve të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës së Veriut. Të gjitha bashkë bota i quajti me një emër Pranvera arabe. Sepse një shpresë për vendosjen e regjimeve demokratike bota e kish shpresuar sidomos me rritjen e islamofobisë.

Ngjarje aktuale si këto në Siri, vetëm sa konfirmojnë përfundimet e studiuesve perëndimorë të qytetërimeve arabe ndërsa shqyrtojnë efektin post-pranverë. Një ndër këta studiues është Stéphane Valter, nga Universiteti i Havre-it. Ai mbajti dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë një konferencë për këto çështje: Pranvera arabe: kërkesa ekonomike, qytetare dhe morale. Valter është ftuar nga Instituti i Historisë (pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike) në kuadrin e konferencave doktoriale për Studimet Historike.

Kështu, një nga përfundimet që ai pohoi e që smund të kundërshtohen lehtë është që revoltat arabe mbeten ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike edhe pse nuk kanë ndikuar dhe emancipuar në themel politikën në këto vende.

Por së pari, studiuesi francez, që në mënyrë më specifikime është marrë me rastin e Sirisë, për të cilën ka botuar disa studime, e pa të nevojshëm një prezantim panoramik të vendeve arabe. Shkaqet politike, ekonomike dhe morale që do të çonin në shpërthimin e revolucioneve. Te shkaku ekonomik Valter llogarit çmimin e jetesës, pra rritjen e kërkesës për një jetë më të mirë; te shkaku politik, organizimin e sindikatave politike dhe pretendimin e tyre për një shtet të së drejtës; ndërsa te shkaku moral ai shikon ndikimin e faktorëve fetarë, konkretisht të fesë islame, të grupeve të saj rë mëdha, shiitë dhe sunitë. Por janë edhe faktorët etnikë. Një shembull: minoritetit kurd në Arabi.

Me gjithë pikat e përbashkëta dhe shkaqet e ngjashme, studiuesi francez thekson se secili prej revolucioneve në vendet arabe ka tregues specifikë. Për shembull, për Egjiptin që ka rreth 80 milionë banorë, tani po mund të perceptohet se opozita islamike ruan të njëjtin sistem ekonomik, duke mos kërkuar që të ndryshohej sistemi i vjetër.

Komuniteti i krishterë në këtë vend që përbën vetëm 7-8 % të popullsisë, ndodhej në kushte të pafavorshme nën regjimin e Hosni Mubarakut. Ky komunitet është angazhuar në protesta për tu dalë para akteve të mundshme keqbërëse ndaj tij.

Për të gjitha vendet që u përfshinë nga Pranvera arabe, çështja fetare mbetet shumë e rëndësishme për zhvillimin politik, si specifikë e vendeve arabe që nuk gjendet në vendet e tjera.

Ato që ndodhën përgjatë 2011-s nuk mund të kuptohen pa ndikimin e faktorëve të jashtëm, e rolit të vendeve perëndimore. Profesor Valter sjell shembullin e Francës së tij, e mallëngjyer nga akti i dëshpëruar i shitësit tunizian Mohammad Buazizi, që i vuri flakën vetes më 17 dhjetor 2010 sepse i mohuan të drejtën për të mbijetuar. Akt që i dha zemër lëvizjeve në Afrikën e Veriut. Por, prof. Valter tërheq vëmendjen se politika e jashtme e Francës në vazhdim nuk do të ishte mbështetëse e zhvillimeve në Tunizi.

Më anë tjetër, politika e SHBA-së për interesa ekonomike, favorizonte sistemin politik në një mikroshtet si Bahrei. Ndikim të rëndësishëm në Pranverën arabe kanë patur forcat e armatosura. Jo më kot prof. Valter i referohet statistikave duke filluar prej mikroshtetit: Në Bahrei, shumica e ushtarëve ishin palestinezë sunitë. Në Armatat e Bashkuara Arabe, përkatësisht në Bagdad apo Dubai, qeveritë kanë punësuar ushtarë me pagesë nga vendet e huaja, për shembull, nga Amerika e Jugut. Këta janë me orgjinë fshatare, njerëz të egër dhe të paskrupuj, pa vlera morale dhe pa fe. Në Siri, 20% e ushtarakëve janë profesionistë dhe bëjnë pjesë në komunitetin e regjimit, 50% është e aftë për të luftuar dhe 30% janë të punësuar nga vendet e tjera.

Për rastin e Sirisë, si më e vona e përfshirë në Pranverën arabe, prof. Valter, ndër shkaqet kryesore të revoltave rendit varfërinë ekonomike e pjesës dërrmuese të popullsisë, që edhe në aspektin fetar, përbën shumicën sunite. Me të njëjtat tipare shfaqet edhe Iraku.

Profesor i historisë së qytetërimeve arabe konfirmon rolin fondamental që ka patur mitet fetare dhe politike mbi të cilat janë mbajtur jetëgjata regjimet arabe e që nuk do tia bëjnë të lehtë rrugën proceseve demokratike aty ku duket se ka shenja që kanë filluar. Në Siri, qysh në vitet 60, programi i partisë që erdhi në pushtet kishte si qëllim të ndërtonte një shoqëri socialiste. Feja ka përbërë një tjetër mit pengues.

Në përfundim, Stéphane Valter pohon se të gjitha regjimet arabe më përjashtim të Tunizisë, Egjiptit dhe Libisë, nuk po e shpalosin legjitimitetin në zgjedhjet e lira, por te simbolet shtypëse të ushtrive fetare dhe politike të cilat kanë dhënë shkas që bota arabe të shpërthejë. Pavarësisht se disa sisteme politike nuk mund të vendosen nga dita në ditë, historia e këtyre vendeve e ka kthyer faqen tanimë.

Bio

Stéphane Valter është profesor në Universitetit e Havre-it, specialist në Historinë Politike të Qytetërimeve,veçanërisht për botën arabe dhe historinë e feve. Është autor i disa botimeve si: Ideologjia kombëtare siriane (2002), Premisat e nacionalizmit arab: Shoqëria revolucionare Arabe (1913-1914) (2002), Perçja islamike, afsh shenjtërie apo praktikë shoqërore?, 2006.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›