E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranvera me fluks të lartë turistësh në jug, Syri i Kaltër një nga destinacionet më të frekuentuara

Syri i Kaltër, si një ndër bukuritë më të rralla natyrore në jug të vendit, vijon të tërheqë një numër të madh turistësh edhe gjatë kësaj pranvere. I njohur për ujin e tij të kristaltë dhe ngjyrat unike, ky destinacion mbetet një nga pikat më të vizituara nga vendasit dhe të huajt. Vizitorët shprehen të mahnitur nga pastërtia dhe bukuria natyrore e zonës, duke e cilësuar Syrin e Kaltër si një përvojë të veçantë që nuk duhet humbur.

 “Është hera e parë që jam këtu në këtë mrekulli natyrore, mund të them. Më pëlqen shumë. Është gjithashtu hera e parë që vij në Shqipëri dhe përmes agjencisë sonë turistike kemi bërë një tur dhe kemi njohur një vend shumë të bukur. Nuk dija shumë për Shqipërinë, pasi në vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra dhe kishte pak informacion. Është një destinacion shumë i bukur për vizitë.”, tha një nga turistët.

“Ne jemi në grup nga Gjermania  dhe na është rekomanduar si një magnet turistik. Diçka të ngjashme kemi edhe në Gjermani, por kjo këtu është shumë më e bukur në krahasim me atë që kemi atje . Pra jemi me grupin dhe donim shumë ta shikonim, përndryshe do të kishim vazhduar rrugën. Po, donim patjetër ta vizitonim syrin e kaltër”, u shpreh një tjetër turist.

“Kemi dhjetë ditë në Shqipëri dhe po bëjmë një tur. Është një vend i bukur. Natyra që kemi parë deri tani është shumë e bukur. Qytetet e vjetra dhe historia që i shoqëron janë shumë interesante. Duhet të them se kam respekt për këtë vend dhe për atë që është arritur këtu. Do ta rekomandonim patjetër, sepse ishte shumë bukur.”, tha një nga turistët.

Ndërkohë, operatorët turistikë bëjnë të ditur se sezoni turistik ka nisur më herët se zakonisht, që në muajin mars, dhe ka vijuar me një fluks të qëndrueshëm vizitorësh. Sipas tyre, rritja e interesit për Shqipërinë si destinacion turistik po reflektohet jo vetëm në jug, por në të gjithë vendin. Ata theksojnë se rezervimet dhe kërkesat për guida turistike kanë qenë në rritje, duke dhënë sinjale pozitive për një sezon të suksesshëm.

“Në të gjithë Shqipërinë se s’është se bëjmë vetëm këtë pjesën e jugut. e përgjithshmja është shumë e mirë për disa arsye. Disa vijnë me pritshmëri më të ulëta se ç’realisht janë edhe thonë okay është që ka zhvilluar kurse disa të tjerë patjetër diversiteti i Shqipërisë ka se çfarë ofron”, deklaroi Genti Bruci, specialist turizmi.

Prania  e lartë e turistëve dhe interesi në rritje konfirmojnë se sezoni turistik ka nisur mbarë. Me pasuritë natyrore që ofron, si Syri i Kaltër, dhe me promovimin gjithnjë e më të madh të vendit, Shqipëria po konsolidohet si një destinacion i preferuar për pushime. Nëse kjo ecuri vijon, pritet që ky vit të shënojë një tjetër sukses për turizmin në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›