E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranvera me turistë në Gjirokastër, qyteti i UNESCO-s ofron paketa disaditore për vizitorët

Çdo ditë, qyteti i gurit të UNESCO-s, Gjirokastra vizitohet nga qindra vizitorë vendas dhe të huaj, të cilët i japin këtij qyteti më shumë gjallëri.

Kryesisht, turistët gjermanë po bëjnë turet e para turistike.

Të mahnitur nga bukuritë natyrore, arkitektura, historia dhe mikpritja, ata tregojnë edhe arsyet që i kanë shtyrë të ndërmarrin këtë udhëtim.  

“Gjirokastra mbart një peshë shumë të madhe duke qenë se është një qytet me histori dhe i përket mbrojtjes së UNESKO-s. Do të vizitojmë kalanë, muzetë dhe pazarin. Sigurisht do të provojmë edhe gatimet e famshme”,shprehet turistja.

“Është hera e parë që vij në Shqipëri. Është shumë i bukur dhe interesant ky qytet. Duket magjik dhe mistik. Natyra duket madhështore”, tha turistja

Ndërkohë, udhërrëfyesi i këtij grupi shprehet se janë të shumta kërkesat e vizitorëve gjerman për vendin tonë.  

“Interesi është shumë i madh nga turistët gjermanë. Përshtypjet janë gjithmonë të bukura. Qyteti i Gjirokastrës i pëlqen shumë, edhe ai i Beratit duke qenë se janë qytete me trashëgimi kulturore dhe interesi është shumë i madh pasi të gjithë vizitorët janë grupe kulturore që vizitojnë Shqipërinë”, u shpreh udhërrëfyesi Alert Bregu.

Pjesa më e madhe e turistëve janë të interesuar për paketat disaditore në jug të vendit, ku përfshihet qyteti i Gjirokastrës me kalanë, muzetë dhe rrethinat e saj.

Gazetare: L. Koçiu  

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›