Pranvera në Ballkan
Rreth librit më të ri të Peter Handkes për një udhëtim në Kosovë
Stina më e mirë për ta vizituar Ballkanin është pranvera. I shtrirë menjëherë pas alpeve të Europës së Mesme, pejzazhi i Gadishullit Ballkanik këta muaj shndërrohet në një të gjelbërt mbresëlënëse kurse qielli i kaltër i avitet aq shumë tokës, saqë edhe ata që nuk e duan natyrën i nënshtrohen magjisë së ajrit, diellit, lumenjve, pemëve e luginave.
Era është e freskët mëngjesve kurse pasditet nuk janë aq të ngrohta. Për këtë shkak edhe nuk duhet çuditur që pikërisht këta muaj në historinë tonë më të re gjithnjë ishin edhe më të egrit.
Pikërisht në këtë stinë, para një viti, shkrimtari Peter Handke udhëtoi në Kosovë. Nuk po e shoh të nevojshme këtu të përsëris të gjitha arsyet edhe të këtij udhëtimi i cili Handken e dërgoi në Republikën e Serbisë dhe prej aty në shtetin fqinj, Republikën e Kosovës.
Ajo që është për t'u theksuar me këtë rast, është që ky libër i Peter Handkes dallon bukur shumë nga ata të mëparshmit, me tonet luftarake të udhëtimeve të tij nëpër Ballkan.
Lufta dhe paqja janë këtu nën një çati: do të ishte kjo mënyra e leximit për lexuesit besnikë të Handkes, të cilët edhe ashtu nuk kanë ndonjë afinitet me Ballkanin. Ata mund të shohin një Handke të menduar, nostalgjik - një Handke që kërkon paqen - me vetveten dhe me botën.
Vendet e ngjarjes në këtë libër janë qyteti i ndarë i Mitrovicës me jugun shqiptar dhe veriun serb, fshati Hoça e Madhe, i cili sot është një e ashtuquajtur "enklavë serbe" në rrethinën e Rahovecit. Autori përjeton një javë në gjiun e serbëve.
Kushdo që deri më tashti e ka njohur Peter Handken si njërin prej përkrahësve të angazhuar të çështjes serbe, gjithsesi do të çuditet sepse autori këso radhe nuk e harron edhe anën tjetër, atë shqiptare.
Edhe pse shqiptarët nuk shfaqen si subjekte, megjithëkëtë ata janë në mendimet dhe përshkrimet e autorit dhe kanë edhe gjuhën e tyre. Shpesh shfaqen fjalë në shqip të cilat dallojnë aq shumë nga gjuha e serbëve.
"Qyqe/Kukavice", "shkrimtar/pisac", "Kosova/Kosovo" rrijnë njëra pranë tjetrës, sikurse edhe jetohet në këtë vend përskaj njëri-tjetrit dhe sikurse rrijnë tek përshkrimet e gjalla të Handkes edhe paradokset e këtij vendi.
Ai shkruan sikurse shkruhet për një vend të traumatizuar të pasluftës, që vazhdon të lëvizë brenda rrethit, diku mes plagëve të së kaluarës dhe shpresës për ditë më të mira. Kushdo që nga lexuesit interesohet për Handken por jo edhe aq për Ballkanin, këtu mund të pajtohet.
Unë jo. Sepse për ata lexues që e duan Ballkanin, që ndjehen të bekuar apo mallkuar, që ndjehen të lidhur me të, në këtë libër mungon diçka. Vendet e pasluftës janë vende të pasluftës sepse dikush qëndronte nëpër barrikada apo shtrihej prapa ndonjë bunkeri. Lufta dhe paqja, na thotë ky libër me tregime udhëtimi, çdo gjë e ka kohën pas pranverës. Kështu shkruajnë autorët e pasluftës.
Mirëpo libri i Handkes i takon një radhe. Ai është një vazhdim i udhëtimeve të tij luftarake tek serbët "e tij", tek përrockat dhe pejzazhet e natyrës të cilat edhe këtë herë zënë një vend mëse të rëndësishëm- paksa më të rëndësishëm sesa Ranko, Zlatko, Popi Vekosllav, Rada, bashkëudhëtarët dhe bashkëbiseduesit e udhëtimit të tij më të ri.
Dhe çdo gjë është në rregull në këtë kontekst. Natyrisht që serbët e Mitrovicës dhe sidomos ata të Hoçës së Madhe janë shumë më njerëzor, shumë më tokësor, shumë më tragjik, sesa që ishte Slobodan Milosheviqi.
Handke pat mbajtur fjalim gjatë varrimit të Milosheviqit, në kohën kur opinioni serb shkruante përkujtime dhe e kishte ende bukur zor ta besonte që ai vërtetë kishte vdekur. Kur në Bosnje e Hercegovinë dhjetëra e mijëra gra, fëmijë, pleq e plaka vriteshin, derisa hapeshin varrezat e heshtjes në Srebrenicë, dhe derisa ne në mënyrë naive shikonim imazhet e Kampit të Omarskas, Handke shkruante për boshnjakët e këtij kampi:
"Me çfarë kënaqësie vuajtjesh, po pozojnë"! Dhe kërkonte "Drejtësi për Serbinë".
Derisa e njëjta Serbi me Milosheviqin në krye në vitet 1998 dhe 1999 vriste, dhunonte dhe përndiqte shqiptarët, i deportonte përmes kufirit të Shqipërisë e Malit të Zi, duke ua djegur letërnjoftimet (serbe!), në mënyrë që të mos ktheheshin më kurrë në vendin e tyre, Peter Handke e "mbajti" premtimin e tij dhe "i priste" bombat e NATO-s në Beograd. Për këtë edhe u kurorëzua nga Milosheviqi "Kalorës i Akademisë Serbe".
Edhe ti ke qenë pjesmarrës, i dashur autor i pasluftës! Kjo është edhe historia jote! Njeriu nuk ka nevojë që të gjejë luftën së pari në biografinë e një autori, njeriu e gjen atë edhe në librat e tij të pasluftës. Fatkeqësisht kjo nuk don të thotë që në këtë shtegtim të ri të Peter Handkes mund të gjejmë një shenjë pendese. Edhe pas dhjetë vitesh, nuk mund ta gjejmë atë.
Mirëpo ajo që gjejmë është lufta personale e Peter Handkes, në rreshta e paragrafe të shtrydhura e djersitura: atje ku ai e gjen "paqen në ajrin" e Mitrovicës përshembull. Çuditërisht të ngathta, sepse të pasinqerta, janë edhe sprovat e tij që të "kërkojë" pjesën shqiptare të Mitrovicës apo edhe fshatin shqiptar (pa emër!) pranë Hoçës.
Nuk ka pasur nevojë t'i kërkonte, fare lehtë e ka pasur t'i gjejë!
Si një gjyqtar i botës me ndërgjegje Handke shikon në pjesën jugore "shqiptare" të Mitrovicës në një dyqan një hartë me mbishkrimin "Ethnic Albania". Handke i pasluftës më në fund vendos që megjithatë të blejë atë hartë në të cilën shkruan "Harta e Kosovës".
Mirëpo as edhe një fjalë nuk është e shkruar në këtë libër për posterët propagandues në të cilët Serbia është e shtrirë prej Karlobagut deri në Viroviticë- në mes të Kroacisë dhe ku Kosova me shkronja ornamentale është e shënuar si "djepi i serbizmit", ku e tashmja i është nënshtruar një të kaluare sa të errët aq edhe keqdashëse, ku shumica e njerëzve nga "Serbia e vjetër" thjesht fshihen me fantazi - për të filluar me atë projekt të çmendur.
Me këta dhe këso posterësh qe bërë i madh Slobodan Milosheviqi dhe me të edhe ata top-politikanë serbë të cilët së voni u dënuan nga Tribunali i Hagës për krimet e tyre të luftës në Kosovë me plot 96 vjet burg.
Mos thuaj që nuk ka mundur ta dijë këtë gjë! T'i jetë kujtuar ndoshta Peter Handkes letra e hapur që kolegu i tij gjerman, shkrimtari Hans Christoph Buch në verë të vitit 1999 ia dërgonte publikikisht dhe ku i tregonte për Krushën e Madhe dhe fshatrat tjera te Rahoveci dhe Hoça e Madhe.
Aty ai i tregonte për "rrugën nga Prizreni në Gjakovë", ku shiheshin dhe ndjeheshin "eshtra mbi të cilët qëndronin qentë!" Njeriu nuk ka patur nevojë t'i "kërkonte" këto fshatra. "Bones are boring, you cannot interview them!". Natyrisht që jo. Handke është vozitur nëpër këtë rrugë të famshme - si për shqiptarët ashtu edhe serbët.
Njeriu mund t'i dëgjonte aty qyqet. Përndryshe nuk duhet çuditur për këtë. Sepse qyqet, si në mitologjinë shqiptare ashtu edhe atë serbe shfaqen më së shumti aty ku ka të vdekur dhe varreza.
Skica e udhëtimit të Hankdes është një sprovë (e fundit?), për të bërë paqe me vetveten, tashmë kur Kosova ka shpallur pavarësinë dhe konflikti i Ballkanit ka filluar të zbutet. Kështu e kuptoj që pos serbishtes, ai provon të mësojë edhe shqip. Pa të vdekurit natyrisht. Mirëpo edhe pa të gjallët.
(Ky tekst është botuar në gazetën "Neue Zürcher Zeitung")