E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Uidhers, jo fajtor për Diverolin

ZYRTARËT

TIRANË- Departamenti amerikan i Drejtësisë ka mbyllur dje hetimet mbi ambasadorin Xhon Uidhers dhe pesë punonjësit e tjerë të ambasadës në Tiranë, të cilët dyshoheshin se mund të ishin përfshirë në skandalin e trafikut të armëve të organizuar nga Diveroli.

Vetë kreu i ambasadës dhe vartësit e tij në nivele të larta u akuzuan nga një ish-punonjës se kishin marrë pjesë në një takim të fshehtë me ministrin e asaj kohe, Fatmir Mediu, ku ishte diskutuar në lidhje me armët e prodhimit kinez.

Armët janë blerë nga Efraim Diveroli me paratë e ushtrisë amerikane dhe i janë shitur trupave afgane. Por dje, të gjashtë zyrtarët kanë marrë pafajësinë pas deklaratës së Departamentit të Drejtësisë se askush prej tyre nuk ishte i implikuar në këtë çështje.


Ambasadori


"Në qershor të vitit 2008, në media u shfaqën pretendime se Ambasadori i SHBA-së, Xhon Uidhers, dhe pesë anëtarë të tjerë të ekipit të ambasadës në Tiranë, Shqipëri, në njëfarë mënyre ishin të përfshirë në përpjekje për të fshehur fakte lidhur me shitjen e municioneve me origjinë kineze për Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, në shkelje të ligjeve të SHBA-së",- tha dje zëdhënësi i ambasadës.

Sipas tij, në atë kohë, çështja iu paraqit Inspektorit të Përgjithshëm për shqyrtim. Inspektori i Përgjithshëm ka shqyrtuar të gjitha faktet e vëna në dispozicion dhe nuk gjeti asgjë që mund të konfirmonte ndonjë pretendim penal apo të lloji tjetër në lidhje me punonjësit e Departamentit të Shtetit.

"Departamenti i Drejtësisë ka informuar Zyrën e Inspektorit të Përgjithshëm që këta gjashtë punonjës të Departamentit të Shtetit në Ambasadën në Tiranë nuk janë shënjestra apo subjekte hetimi. Departamenti mirëpret deklaratat e bëra nga Departamenti i Drejtësisë dhe Inspektori i Përgjithshëm dhe e konsideron këtë çështje të mbyllur.

Ambasadori Uidhers dhe ekipi i tij punuan saktësisht në atë mënyrë siç do të prisnim të punonin. Jemi krenarë dhe mirënjohës për shërbimin e tyre",- thuhet në njoftimin zyrtar për çështjen. Pas tij ka reaguar menjëherë edhe vetë ambasadori Uidhers.

"Jam mirënjohës që Departamenti i Drejtësisë dhe Departamenti i Mbrojtjes tani i konsiderojnë pretendimet kundër meje dhe zyrtarëve të tjerë në Ambasadën në Tiranë të mbyllura. Këta zyrtarë janë ndër diplomatët më të shkëlqyer që kam njohur.

Siç thashë vitin e kaluar, "një shqyrtim i drejtë i fakteve do të çojë, në fund, tek e vërteta." Jam i kënaqur që e vërteta tani është e qartë dhe që këtyre zyrtarëve të shkëlqyer u janë njohur kontributet ndaj shërbimit të vendit tonë",- pohoi dje Uidhers.


"Spiuni"


Ambasadori Uidhers dhe vartësit e tij u denoncuan në Kongresin Amerikan nga një punonjësi i tyre, shefi i zyrës së mbrojtjes dhe bashkëpunimit, majori Larry Harrison. Ai është marrë në pyetje nga Kongresi dhe ka treguar se Uidhers ka zhvilluar një takim sekret me Fatmir Mediun dhe ka bashkëpunuar në fshehjen e origjinës së municioneve që u dërguan në Afganistan.

Sipas Harrison, ambasadori ishte në dijeni të plotë që fishekët ishin kinezë dhe ai ka bashkëpunuar në këtë mashtrim duke favorizuar Mediun dhe fshehur provat nga gazetarët e NY Times, por më e rëndësishmja, nga shteti amerikan. Harrison ka pohuar se gjatë natës kur është zhvilluar takimi është bërë edhe zhdukja e municioneve ushtarake nga Rinasi.

Majori ka treguar në Kongres se e gjithë ambasada kishte qëndruar në ankth deri sa "NY Times" publikoi artikullin e plotë për skandalin me municionet shqiptare. "Shkrimi është botuar më datë 27 mars 2008 dhe në orën 06.06 të asaj dite Patrick Leonard i ka dërguar shkrimin disa prej zyrtarëve të ambasadës duke e nisur me fjalët:

Çështja e AEY ka zënë faqen e parë dhe titullin kryesor të NY Times. Shtatë faqe total. Ambasada nuk është përfshirë në asnjë rast. Faleminderit Zotit",- ka pohuar Harrison.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›