E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pranvera sjell në Butrint turistë nga e gjithë bota, tërhiqen nga trashëgimia dhe natyra

Stina e pranverës ka rikthyer gjallërinë në Parkun Kombëtar të Butrintit, një nga destinacionet më të rëndësishme kulturore dhe natyrore në vend.

Gjatë këtyre ditëve parku po mirëpret një numër të lartë vizitorësh, si vendas ashtu edhe të huaj.

“Butrinti është një nga vendet më të mrekullueshme që kam vizituar. Kombinimi i natyrës së bukur dhe trashëgimisë historike është thjesht magjik. Më pëlqeu shumë kalimi nëpër rrugët antike dhe shëtitja nëpër këtë zonë të mrekullueshme,” thotë një turiste.

“Vizita në Butrint ishte një përvojë e paharrueshme. I dashurova rrënojat e lashta dhe peizazhin natyror. Është një vend që vlen të vizitohet për çdo adhurues të historisë dhe kulturës,” shton një tjetër turist.

Peizazhi i bukur, trashëgimia arkeologjike dhe historia e pasur e Butrintit janë ndër arsyet kryesore që tërheqin vizitorët.

Rrënojat antike dhe mjediset natyrore të mbrojtura ofrojnë një përvojë të veçantë për këdo që viziton këtë park, i cili mbetet një nga perlat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

“Ishte një eksperience fantastike të shihja Butrintin. Historia që ndodhet pas këtyre mureve është e jashtëzakonshme dhe tërheqëse. Do të rikthehem sërish për të eksploruar më shumë,” shprehet një turist i ri.

Turizmi pranveror është një periudhë e rëndësishme për Butrintin, pasi i paraprin sezonit veror dhe ndihmon në promovimin e qëndrueshëm të zonës.

Rritja e vizitave në këtë periudhë është një sinjal pozitiv për zhvillimin e turizmit kulturor dhe për ekonominë lokale, ndërkohë që administrata e parkut vijon të punojë për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e përvojës së vizitorëve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›