Prapaskenat e Fest 64/ Gazetarja e RTK: Privilegj të jem këtu. Atmosferë pozitive, ndihem si në shtëpi

Festivali i 64 i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar transmetohet live edhe në Radio Televizionin e Kosovës. Mbulimi i tij mediatik është bërë edhe drejtpërdrejt nga Tirana përmes gazetarëve të RTK-së.
Gazetarja e RTK Radio, e cila ka ndjekur nga afër festivalin, Nora Meqa, ka folur për prapaskenat e Fest 64 lidhur me përvojën e saj gjatë qëndrimit në Tiranë.
“Është një privilegj që të jemi pjesë e këtij festivali. Kemi punuar shumë dhe njëkohësisht jemi kënaqur. I kemi përcjellë të gjitha emocionet e prapaskenave nga Tirana për dëgjuesit në Kosovë,” u shpreh Meqa.
Ajo theksoi se Festivali i Këngës është transmetuar live edhe në RTK, duke e bërë atë të aksesueshëm për publikun kosovar. Gazetarja falënderoi organizatorët për mikpritjen, duke theksuar atmosferën pozitive që ka mbizotëruar gjatë festivalit.
“Ju falënderoj për mikpritjen, e kemi ndjerë veten si në shtëpinë tonë. Këtu ka një atmosferë shumë të mirë, me energji pozitive dhe jo konkurruese. Të gjithë artistët kanë dhënë intervista dhe kanë qenë shumë të disponueshëm,” përfundoi ajo.
/rtsh.al/