Pr/buxheti 2025, Balluku: Financim Korridorit 8 dhe atij Blu, si ndërlidhje rrugore, hekurudhore, energjetike dhe digjitale

TIRANË, 18 nëntor/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se projektbuxheti i vitit 2025 është ambicioz dhe mbështet dhe stimulon zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social, si dhe vazhdimësinë e reformave të thella të ndërmarra në të gjithë sektorët drejt përmbushjes së vizionit strategjik “Shqipëria 2030”.
Sipas Ballukut, projektbuxheti i akordon MIE-s 74 miliardë lekë, ndër të cilat 67.38 miliardë lekë janë shpenzimet kapitale.
“Nxit më së mirë ndërlidhjen dhe zhvillimin rajonal si një ndër çelësat e suksesit të zhvillimit ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Ne jemi në një fazë të re të implementimit të projekteve strategjike, të cilat kanë rrjedhur përmes garave ndërkombëtare e bashkëpunimeve me kompanitë më në zë europiane. Këto projekte nuk janë më të veçuara apo bazuara në studime sipërfaqësore, siç ka ndodhur në të shkuarën çka ka krijuar jo pak probleme në zbatimin e tyre. Projektet tona zhvillimore janë të programuara me detaje dhe të ndërlidhura me njëri-tjetrin duke kontribuar drejtpërdrejt edhe në ndërlidhjen rajonale, që është edhe një nga nxitësit më kryesorë të ekonomisë, dhe në të njëjtën kohë një ndër ndër synimet kryesore të BE-së“, tha Balluku.
Zv/kryeministrja theksoi se Korridori 8 dhe ai Blu, si dy nga projektet më madhore dhe strategjike të qeverisë shqiptare marrin një mbështetje të rëndësishme në projektbuxhetin 2025.
“Nuk janë thjesht dhe vetëm autostradat e shpejtësisë së lartë, por janë korridore ndërlidhëse që përfshijnë transportin rrugor, atë hekurudhor dhe padyshim gjithashtu linjat energjetike dhe ato digjitale, duke i kthyer kështu të gjitha bashkë në korridoret më të rëndësishme paneuropiane. Pjesë të Korridorit VIII në këtë projektbuxhet janë, zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, ku kantieret në të tetë fazat e këtij projekti janë në proces pune dhe kanë ecuri të qëndrueshme, por gjithashtu parashikohet ndërtimi i segmentit nga bajpas-it të Elbasanit në drejtim të Lekaj (Rrogozhinë), një segment totalisht i ri, një gjurmë e re që do ti përgjigjet parametrave të kategorive A të infrastrukturës europiane dhe gjithashtu pjesë e këtij buxheti është edhe bajpasii i Elbasanit, i cili është parashikuar në projektet e reja të mbështetura nga financimi i huaj. Ashtu siç është edhe bajpasi i Tiranës”, tha ajo.
Balluku informoi se si pjesë e Korridorit VIII multimodal, transporti hekurudhor është një komponent i rëndësishëm.
“Tashmë kemi siguruar mbështetje financiare për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Durrës-Rrogozhinë gjithashtu, e madje jemi në diskutime me bankat europiane për të përfshirë në këtë projekt edhe lidhjen hekurudhore nga porti i ri i Durrësit në Porto-Romano deri në lidhjen me hekurudhën Tiranë-Durrës ose stacionin e Sukthit. Me ndërtimin e portit të ri në Porto-Romano kërkesa kryesore do të jetë transporti hekurudhor, duke pasur parasysh që të gjitha mallrat të cilat vijnë përmes transportit detar kanë fizibilitet më të lartë kur shpërndahen përmes transportit hekurudhor, duke qenë nga ana financiare më efiçent, por nga ana tjetër edhe më miqësor me mjedisin”, informoi Balluku.
Po ashtu, pjesë e padiskutueshme e Korridorit VIII, tha ajo, janë të linjat e interkoneksionit për shkëmbimet ndërkufitare të energjisë.
“Tashmë kemi në zbatim ndërtimin e linjës 400 kilovolt Shqipëri-Maqedoni, e cila kalon nga Fieri, Elbasani, Qafë Thana për të kaluar më pas në Bitola”, deklaroi zv/kryeministrja.
Në Korridorin Blu, vijoi ajo, pasi hapëm për qarkullimin e mjeteve aksin Kashar-Thumanë, i cili tashmë është funksional dhe ka shkurtuar në mënyrë të ndjeshme distancën mes kryeqytetit dhe veriut të vendit, jemi gati të çelim garën ndërkombëtare për segmentin tjetër të rëndësishëm të këtij Korridori, ai Milot-Balldren dhe ndërkohë jemi duke mbyllur negociatën dhe firmosjen e kontratave për tre akset e tjera, Kashar-Lekaj, Lekaj-Fier dhe Milot-Thumanë.
“Pjesë e këtij Korridori do të jetë dhe linja hekurudhore Vorë- Hani Hotit e cila do të rehabilitohet plotësisht. Ky është një projekt me gjatësi 120 kilometra dhe që përfshin 12 stacione. Parashikohet një rikonstruksion i plotë i linjës hekurudhore dhe i këtyre stacioneve, duke e lidhur kështu Shqipërinë edhe me Korridorin Europian X. Është një nga projektet më të mëdha, me një vlerë investimi prej 367 milionë eurosh, nga të cilat 153 milionë euro përfshihen në formën e grantit nga Bashkimi Europian”, deklaroi Balluku.
Zëvendëkryeministrja theksoi se projektbuxheti 2025 pasqyron dhe një shtrirje të balancuar gjeografike të investimeve dhe projekteve të reja nga veriu në jug, nga lindja në perëndim.
“Duke u dhënë jetë kantiereve në të katër anët e vendit dhe duke i dhënë përgjigje një herë e mirë retorikës dezinformuese se Qeveria Rama ka vëmendje të veçantë në Jug. Një e pavërtetë që merr përgjigje nga investimet e lartpërmendura e nga dhjetëra projekte të tjera të rëndësishme në Lezhë, Shkodër, Bulqizë, Dibër e gjetkë në Veri”, deklaroi Balluku.
Duke folur për rrugën e Arbrit, Balluku shpjegoi se ka pasur problematika gjeologjike. “Tuneli i Murrizit do të jetë një nga veprat inxhinierike më të ndërlikuara në Europë, që sot po përdoret dhe nga universitetet si një rast për studim, shumë shpejt do të jetë në përdorim të qytetarëve, por është vetëm tuneli Murrizi, i cili nuk është dorëzuar akoma dhe afati i tij, pavarësisht se është shtyrë për pranverën e vitit 2025, ne shpresojmë që do të jetë funksional brenda këtij viti, por nga ana tjetër, sot në Dibër shkohet për një orë e gjysmë ndryshe nga gjashtë orët që shkohej në kohën e rrugëve fantastike, qindra, mijëra kilometrave të shtruara, imagjinare sigurisht”, deklaroi ajo.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku në Kuvend. foto: Florian Abazaj 1 nga 2/j.p/