Prefekti Mano: Për humbjen e pikturave të Vangjush Mios, të gjitha gjurmët të çojnë në Bashkinë e Korçës!
Lidhur me vjedhjen e veprave të piktorit të madh Vangjush Mio, ka reaguar posaçërisht për gazetën “55”, Prefekti i Qarkut Korçë, Andrea Mano. Ai deklaron se “të paktën moralisht, kryetari apo n/kryetari i bashkisë duhet të jepte dorëheqjen, derisa shteti, organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre e të zbardhin ngjarjen. Kjo tregon vizionin dhe kujdesin e kryetarit Peleshi për kulturën dhe artin korçar”, thotë prefekti Mano
Ende asnjë reagim zyrtar nga Bashkia e Korçës në lidhje me skandalin më të madh të ndodhur ndonjëherë në këtë qytet, atë të vjedhjes së 60 veprave nga Galeria e Arteve të Korçës, ku gjysma e tyre i përkasin veprave të piktorit të shquar Vangjush Mio. Asnjë dorëheqje, asnjë përgjegjësi! I vetmi që po lakohet për t’u kryqëzuar është z. Xega, “kujdestari vullnetar” i trashëgimisë më të madhe të arteve figurative të Korçës, të cilin pushtetarët lokalë po mundohen ta kryqëzojnë si “hajdutin më të madh” të këtij vendi.
Piktorët, intelektualët dhe qytetarët korçarë janë mjaft të indinjuar nga ky veprim i fundit i Bashkisë. Shumica e tyre e quajnë këtë një vepër të turpshme, një “dhuratë” për 100- vjetorin e Pavarësisë, që u bën atyre Bashkia. “Si ka mundësi që Bashkia nuk ruan dot një thesar aq të çmuar, kur vlera e veprave përllogaritet deri në 700 mijë euro? Si ka mundësi që këtë thesar të çmuar ia lënë në ruajtje një piktori pensionist, i apasinuar pas Mios, i cili ka vetëm çelësat e kashtës, se çelësat e tjera i kanë funksionarë të Bashkisë?!
I pyetur për këtë ngjarje kaq të rëndë, këtë atentat që i bëhet kulturës e artit korçar e atij kombëtar, prefekti i këtij qyteti z. Andrea Mano, mjaft i indonjuar kërkon që shteti, organet kompetente të bëjnë detyrën e tyre të gjejnë hajdutët e vërtetë të kësaj vjedhjeje të pashembullt. “Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga skandali, nuk ka asnjë dorëheqje nga ana e kryetarit, nënkryetarit apo funksionarëve të tjerë përgjegjës për këtë thesar. Të paktën moralisht dikush duhej të jepte dorëheqjen, derisa shteti, organet kompentente të bëjnë detyrën e tyre e të zbardhin ngjarjen, - thotë Mano. “Nga ana e Bashkisë po synohet që t’i lihet faji një njeriu të thjeshtë, i cili këtë punë e bëka vullnetarisht dhe se ai qenka përgjegjës për të gjithë atë thesar të madh me vlera kombëtare. Bashkia merret me lloj- lloj “festash” të sajura kulturore, deri edhe tek festat e lakrorit dhe nuk ruajtka dot pikturat e të madhit Mio! E kuptoni se sa turp dhe sesa papërgjegjësi ka kjo bashki!
Në asnjë vend të botës nuk ruhen kështu kryeveprat e trashëgimisë kulturore. Kjo ngjarje dëshmoi realisht kujdesin dhe vizionin e bashkisë dhe kryetarit të saj z. Niko Peleshi për kulturën dhe artin korçar. Një gjë duhet të ketë të qartë Bashkia se Mio nuk është thjesht një vlerë korçare por është një vlerë kombëtare dhe se kjo gjë nuk mund të kalohet lehtë!” – përfundon prefekti Andrea Mano.
Ashtu siç edhe shprehej dje z. Xega, pasi policia konstatoi se veprat e gjetura janë piktura të tijat “hajdutët janë në Bashki, se ata kanë çelsat e galerisë”. Policia, organet e drejtësisë duhet të ngushtojnë rrrethin e hetimeve dhe të gjitha gjurmët të çojnë Bashki!