Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi inspekton punimet e segmentit Ura e Cerenecit-Librazhd, pjesë e Unazës Lindore të Shqipërisë
Në segmentin më të vështirë të Unazës Lindore të vendit, atë që lidh Dibrën me Librazhdin, punimet vazhdojnë me një ritëm mjaft të mirë.
Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, gjatë inspektimit që bëri në punimet që kryhen në zonën e Steblevës dhe fushë Studenit, deklaroi se brenda vjeshtës aksi do të jetë i gatshëm për paketën e shtresave të asfaltit. “Ky është segmenti më ivështirë dhe më i rëndësishëm i asaj që quhet unaza Lindore, pra segmenti që lidh Peshkopinë me Librazhdin. Është një distancë prej 58 km për të cilën kemi tenderuar punime në vlerën e 2.4 miliard lekëve. Projekti do të zhvillohet në bashkëpunim me Fondin Shqiptarë të Zhvillimit, ne jemi duke kryer punimet për hapjen e trasesë, ndërtimin e veprave të artit si dhe shtrimin e shtresave të zhavorreve. Jam i bindur që me këtë ritëm që po punohet, në afatin optimal, në vjeshtën e këtijviti, objekti i dorëzohet Fondit të Zhvillimit në mënyrë që të fillojnë asfaltet dhe rruga brenda një afati disa mujor të jetë e kaluashme dhe në një parametër të pakrahasueshëm me atë që ka qenë më parë. Duhet të kemi parasysh se kjo rrugë ka qenë vetëm 4 m, e pa asfaltuar, gjithmonë e bllokuar dhe me një trajektore shumë të vështirë”- tha ministri Olldashi.
Aksi Cerenec-Librazhd i cili është sot vetëm një rrugë e pa asfaltuar komunash, pas rikonstruksionit, do të ketë një gjerësi prej 6.5 m asfalt, në të gjithë gjatësinë e tij prej 58 kilometrash. Punimet kryhen në një bashkëpunim të Ministrisë së Transportit dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Ky aks i bashkëngjitet zinxhirit Valbonë-Kam, e përfunduar, Kam-Krumë, e përfunduar, Krume -Kukës, nëndërtim, Kukës-Peshkopi, e përfunduar, në atë që përbën një prioritet të qeverisë Berisha, Unazës Lindore të Shqipërisë.
...