E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prej 8 muajsh në burg- Meta letër GJKKO, kërkon zëvendësim të masës së sigurisë: U shkelën afatet, SPAK s’ka paraqitur informacionet

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta (aktualisht në qeli), ka dërguar një letër drejtuar Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ku kërkon verifikimin e kushteve të masës së sigurimit personal të arrestit me burg dhe zëvendësimin e saj me një masë tjetër, sipas Kodit të Procedurës Penale.

Meta është akuzuar për veprat penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ai është në masën e sigurimit të arrestit me burg që prej gati 8 muajsh.

Në kërkesën e tij drejtuar GJKKO, avokati i Ilir Metës theksoi se, edhe pse personi në fjalë ndodhet në masën e arrestit me burg për një periudhë të gjatë, organet e procedurës nuk kanë paraqitur asnjë raport verifikimi për të informuar gjykatën mbi gjendjen e hetimit dhe provat e administruara.

Sipas ligjit, organi procedurial ka detyrimin që të paraqesë 4 raporte verifikimi gjatë kësaj periudhe, një detyrim që, sipas avokatëve të Metës, nuk është përmbushur.

“Mosrespektimi i dispozitës përkatëse të Kodit të Procedurës Penale ka krijuar bindjen se organi i akuzës nuk ka kryer asnjë hetim të ri dhe nuk ka administruar prova që mund të justifikonin vazhdimin e masës së arrestit.”, thuhet në kërkesë.

Në vijim, avokati i Metës kërkoi që masat shtrënguese të arrestimit të zëvendësohen me një masë tjetër, duke shtuar se: “Veprimet hetimore deri më tani nuk e justifikojnë më qëndrimin e Metës në masën e arrestit me burg. Ky veprim nuk ka asnjë bazë ligjore që mund të mbështesë vazhdimin e masës.”

Për më tepër, në letër nënvizohet se, pavarësisht se Meta ka qenë gjithmonë në dispozicion të organit të akuzës për pyetje dhe përballje, nuk është ndërmarrë asnjë veprim nga ana e këtij organi, gjë që, sipas tyre, vërteton se qëllimi i arrestimit ka qenë politik dhe jo juridik.

Një nga argumentet kryesore të mbrojtjes së Metës ka të bëjë me natyrën e akuzave dhe me faktin se ai është një figurë politike e njohur. Si ish-president, ish-kryeministër, dhe aktualisht lider i Partisë së Lirisë, mbajtja e tij në arrest me burg për akte të supozuara korruptive të ndodhura në të kaluarën është e paarsyeshme dhe jopropocionale.

Avokati i Metës ka paraqitur si provë faktin se mbajtja e tij në këtë masë shtrënguese është një veprim që shkel praktikat e njohura të jurisprudencës, si dhe vendimet e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut, që shpesh kanë konstatuar se arrestimi i politikanëve opozitarë për vepra penale të kryera në të kaluarën është një praktikë e gabuar dhe e padrejtë.

Në përfundim, mbrojtja kërkoi nga gjykata që të marrë në konsideratë statusin e Metës si një figurë politike e lartë dhe të vendosë për zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit me burg në një masë më të butë, siç parashikon Kodi i Procedurës Penale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›