E Enjte, 5 Nëntor 2026

Prençe për ATSH-në: 3600 çifte folezuese të shpendëve të ujit në Divjakë-Karavasta

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Fier, ashtu si çdo vit, edhe këtë vit ka realizuar monitorimin e kolonisë më të madhe në vend të shpendëve të ujit qafëgjatë, këmbëgjatë si dhe kolonisë së përzierë të Çafkave dhe Karabullakëve në parkun kombëtar “Divjakë-Karavasta”.

Drejtori i ADZM Fier, Fotjon Prençe tha për ATSH-në se “rezultatet e fundit tregojnë se popullata në këtë koloni vazhdon të jetë e qëndrueshme në nivelin e 3500-3600 çifte folezuese, specie dominuese janë çafkat e bardha (Egretta garzetta) të ndjekura nga Karabullaku i vogël(Microcarbo pygmeos)”.

Prençe bën të ditur se specie të tjera të pranishme janë Çafka e Verdhë (Ardeola ralloides), Çafka e natës (Nyctirorax nyctirorax), Çafka e përhime (Ardea cinerea), Çafka e Madhe e bardhë (Ardea alba), Koliku i zi (Plegadis falcinellus), Bajza (Fulica atra).

Në koloni vërehet një shpërndarje e kolonisë si copëz e habitatit që përbën bërthamën e kolonisë duke sjellë si rezultat shpërhapjen e kolonisë në sipërfaqen përreth.

Megjithatë, shton Prençe, kjo është diçka krejtësisht e natyrshme dhe ndodh në çdo koloni të ngjashme pas një fare kohe.

“Ne do të vazhdojmë monitorimin e kësaj kolonie gjatë gjithë procesit të folezimit dhe në fund do të japim rezultate të plota edhe mbi përbërjen proporcionale të llojeve te cilat ndodhen në këtë koloni”, tha Prençe.

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›