E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prençi padit zv.ministrin Peka

1.Kryekomisar Shemsi Prençi. 2.Ministri i Brendshëm në detyrë, Avenir Peka

Zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe komandanti i Forcave Speciale në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi, e paditën njëri-tjetrin dje në Prokurorinë e Tiranës, lidhur me incidentet zgjedhore të ndodhura të dielën në Kashar e Bathore.Dy zyrtarët e paditën njëri-tjetrin në prokurori me akuzat e shpifjes për shkak të detyrës dhe tejkalimit të kompetencave. Shkak është bërë incidenti i ndodhur të dielën në Bathore, ku disa makina që qarkullonin me flamujt e PS-së u goditën dhe dëmtuan nga një person tashmë i arrestuar. Incidenti shkaktoi rrëmujë në zonë dhe bllokimin e rrugës për mëse një orë. Në orën 11:00 e ditës së djeshme, drejtori i sektorit të Forcave Speciale dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Policinë e Shtetit, Shemsi Prençi, doli nga Prokuroria e Tiranës, ku dorëzoi padinë penale ndaj zv.ministrit të Brendshëm, Avenir Peka (ministër në detyrë). Prençi tha se e ka paditur Pekën për akuzat e kanosjes për shkak të detyrës, fyerjes për shkak të detyrës dhe tejkalim kompetencash. “Sot kam denoncuar incidentin më të rëndë të ndodhur në karrierën time në periudhë zgjedhjesh. Ditën e djeshme (të dielën), kur unë kam qenë pushim, më është kërkuar nga zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, të shkel ligjin. Ai kërkoi ndërhyrjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në një ngjarje në Bathore. Unë e kam kundërshtuar dhe ai më ka kërcënuar e ka fyer rëndë dinjitetin tim”, tha Shemsi Prençi, pas dorëzimit të padisë në prokurori. Ai shtoi se forcat speciale nuk mund të viheshin në lëvizje në këtë rast. “Nuk e di konkretisht çfarë ka qenë ajo ngjarje. Ministri nuk ka tagër të japë urdhër për veprime operacionale të policisë. Unë nuk pata urdhër nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë apo nga zv.drejtorët”, tha Prençi. “I kërkoj kryeministrit Berisha, tek i cili kam shumë besim, që standardet që ai kërkon të vendosen dhe standardet që ka vendosur Policia në raport me zgjedhjet me aq mundim, të mos lejohet të shkelen nga njerëz ai Avenir Peka”, shtoi më tej Shemsi Prençi. “Unë nuk i kam zbatuar dhe nuk i zbatoj urdhrat e paligjshëm”, tha ai. Teksa po largohej nga dera e Prokurorisë, Shemsi Prençi deklaroi dhe e përsëriti disa herë: “Kam qenë dhe jam me Partinë Demokratike”. Pas kësaj padie të bërë nga zyrtari i Policisë, ministri i Brendshëm në detyrë, Avenir Peka, deklaroi dje në orët e mbrëmjes se e ka paditur Shemsi Prençin për shpifje për shkak të detyrës. Peka u bëri thirrje partive politike që të mos instrumentalizojnë individë të veçantë brenda policisë. “Sot (dje), më datë 11 prill 2011, zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka, ka bërë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë një kallëzim penal kundër drejtorit të Forcave Lëvizëse Operacionale të Policisë së Shtetit, Shemsi Premçi, për veprën penale “shpifje për shkak të detyrës”, tha Ministria e Brendshme, e cila garanton opinionin publik se në asnjë rast dhe asnjë rrethanë nuk do të lejojë keqpërdorimin e Policisë së Shtetit për asnjë arsye apo motiv që bie ndesh me ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Në deklaratë thuhet se Ministria e Brendshme u bën thirrje forcave politike të qëndrojnë larg përpjekjeve për të instrumentalizuar politikisht struktura apo efektivë të Policisë së Shtetit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›