Presidenca: Ashton u interesua për zgjedhjet, kërkoi një proces të besueshëm
(E PERDITESUAR)- Shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Catherine Ashton, ka mbërritur në Tiranë në kuadër të një turi në rajon.
Ashton e ka nisur axhendën në kryeqytetin shqiptar duke u takuar fillimisht me presidentin Bujar Nishani.
Takimi me Nishanin ka zgjatur rreth 45 minuta.
Më pas Presidenca ka nisur një njoftim për shtyp ku theksohet se Ashton është interesuar për procesin zgjedhor në Shqipëri.
Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.
Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Kurse Presidenti Nishani ka thënë se zgjedhjet kanë vetëm një problem: sjelljen e partive.
Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për tu kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve, vijon njoftimi i Presidencës.
Ka pasur lajme kontradiktore në lidhje me vizitën e saj në Serbi dhe Kosovë. Mediat serbe raportojnë se mund të ketë një takim mes dy kryeministrave, Daçiç dhe Thaçi në Bruksel. Deri më tani Ashton ka lehtësuar dialogun mes tyre./ep