E Diel, 1 Nëntor 2026

TemA TV/ Spahiu: Opozita të braktisë Kuvendin dhe të na bashkohet më 1 maj. Të nënshkruajmë pakt për arrestimin e Berishës (VIDEO)

Spahiu arvizuKryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, reagoi pas vendimit të mbrëmshëm të Kuvendit për të shkarkuar një anëtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Spahiu tha se kjo seancë tregoi se kanë dështuar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian, OSBE, ODIHR dhe të gjithë opozitës parlamentare për të garantuar në tryeza institucionale ose ligjore zgjedhjet e lira dhe numërimin e votës së 23 qershorit.

Dhënia e konsensusit me votë një vit më parë nga socialistët e integruar dhe të paintegruar për këtë kod zgjedhor ka qenë fatale dhe sot të gjithë po korrin ato çfarë mbollën.

Trupi diplomatik përshëndeti marrëveshjen PS dhe PD për reformën zgjedhore pa harruar se në krye të qeverisë ndodhej kasapi i votës së lirë dhe sot ai po iu mbyll derën amerikanëve, europianëve dhe është në luftë me të gjithë shqiptarët, tha Spahiu.

Kreu i AK tha se Berisha nuk e lëshon karrigen e tij me marrëveshje.

Spahiu tha se SHBA dhe BE duhet të izolojnë diplomatikisht Berishën, pasi po përgatit vjedhjen e zgjedhjeve.

Opozita parlamentare me socialistë të integruar dhe paintegruar të braktisë përgjithmonë parlamentin se përndryshe do shiten të gjithë me lek si Dogjani, Islami, Kadeli dhe të tjerë që do u vinë pas.

Opozita të bashkohet me Aleancën Kuq e Zi më 1 maj për të rritur presionin popullor me mosbindje qytetare deri në largimin pa kushte të shtetasit Berisha, tha Spahiu.

Kryetari i AK tha se duhet nënshkruar një pakt me opozitën për arrestimin e Berishës dhe dorëzimin e tij drejtësisë.

Me vendimin e djeshëm në Parlament, pamë sesi vazhdon ende në mënyrë të turpshme merkatoja e deputetëve.

Një javë më parë, tre deputetë u blenë nga djathtas majtas, ndërsa mbrëmë tre deputetë të tjerë u shitën nga majtas djathtas.

Me shitblerje deputetësh nuk rrëzohet as Saliu, as Jozefina.

Partia Socialiste ka një javë kohë te tregojë nëse është opozitë e vërtetë apo palë me Berishën, tha Spahiu./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›