E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca Suedeze e BE-së mirëpriti zhvillimin e zgjedhjeve në Shqipëri

“Zgjedhjet treguan lidhje të forta të Shqipërisë me vlerat demokratike” 

Presidenca Suedeze e Bashkimit Evropian ka mirëpritur zhvillimin e zgjedhjeve të qeta e paqësore të 28 qershorit në Shqipëri. Në deklaratën të publikuar në ëeb site-n zyrtar të saj, Presidenca uron qytetarët shqiptarë për këtë arritje, duke theksuar se nëpërmjet procesit elektoral votuesit kanë treguar lidhje të forta me vlerat demokratike. 

Në deklaratën e saj prej 6 pikash presidenca vlerëson progresin e arritur në regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit si dhe kuadrin ligjor të arritur në mënyrë konsensuale nga dy forcat e mëdha politike. 

Po kështu, presidenca suedeze shprehet se ka mbajtur shënim deklaratën e OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e madhe që procesi numërimit të votave të mbyllet në mënyrë të rregullt, pasi nga kjo do të varet edhe vlerësimi përfundimtar. 

Duke vënë theksin në mosdëmtimin e procesit të numërimit të votave, që nuk ka përfunduar ende, Suedia në emër të 27 vendeve të BE-së thotë se është i një rëndësie të lartë kompletimi i rregullt i fazave të mbetura të procesit. 

“Vëmë në dukje se kompletimi i rregullt i fazave të mbetura të procesit është i një rëndësie të lartë. Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve do të varet, në një shkallë të madhe, nga sjellja gjatë numërimit të votave, nga grumbullimi i rezultateve si dhe nga trajtimi i ankesave dhe thirrjeve të mundshme post-elektorale”, nënvizon Presidenca suedeze e BE-së.

Nisur nga kjo, Bashkimi Evropian inkurajon një dialog konstruktiv mes partive politike, sa i takon procesit të zgjedhjeve dhe formimit të një qeverie të re të përkushtuar në agjendën e reformave dhe progresit të mëtejshëm drejt Bashkimit Evropian.

“BE inkurajon një dialog konstruktiv në mes partive politike për rishikimin e kujdesshëm të procesit zgjedhor dhe për çuarjen drejt formimit të një qeverie të re të angazhuar ndaj axhendës së reformave dhe ndaj një progresi më të madh drejt BE-së”, përfundon deklarata e Presidencës suedeze të BE-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›