“Javën e ardhshme përfundon procesi i ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit”
Parlamenti i Islandës ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
TIRANE - Parlamenti islandez ratifikoi dje pasdite Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e bërë kështu Islandën vendin e 23-të nga 26 vendet e Aleancës, që ratifikon këtë protokoll. Ratifikimi i këtij protokolli u bë gjatë vizitës njëditore që Shefi i diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, zhvilloi në Islandë, me ftesë të homologut të tij islandez, Ossur Skarphedinsson.
Gjatë takimit dy ministrat e Jashtëm diskutuan gjerësisht rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe mundësive të bashkëpunimit të të dy vendeve në fusha me interes të përbashkët si energjia, turizmi, teknologjia. Ministri Basha e informoi homologun e tij islandez rreth reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në funksion të arritjes së standardeve të kërkuara në proceset e integrimit euroatlantik të vendit. Në mënyrë të veçantë, në emër edhe të kolegut të tij kroat, ministri Basha kërkoi nga Skarphedinsson përshpejtimin e procesit të ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, me qëllim që në Samitin e ardhshëm të Strasburg-Kehlit, Shqipëria dhe Kroacia të bëhen anëtare më të drejta të plota të Aleancës.
Nga ana e tij ministri i Punëve të Jashtme të Islandës e informoi ministrin Basha se një nga çështjet e para, të cilat ka adresuar qeveria e re islandeze kanë qenë pikërisht procedurat e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit në NATO për Shqipërinë dhe Kroacinë, pavarësisht problemeve të tjera të rëndësishme e mjaft kritike me të cilat duhet përballur kjo qeveri në këtë kohë të krizës financiare globale që ka prekur në mënyrë të veçantë Islandën. Ai shprehu kënaqësinë që me rastin e vizitës së Basha në Rejkjavik dhe në kuadër të marrëdhënieve të shkëlqyera në nivel politik ndërmjet dy vendeve, të kulmuara edhe nga vizitat e Kryeministrave respektivë në Rejkjavik e Tiranë vitin e kaluar, do të kërkonte me insistim përfundimin e debatit parlamentar dhe mandej votimin po sot, në seancë plenare në Parlamentin e Islandës për Protokollet e Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Më tej, të dy ministrat vizituan Parlamentin, ku në prani të ministrit Basha, ministri i Punëve të Jashtme të Islandës ju adresua Parlamentit islandez, duke agumentuar në detaje domosdoshmërinë e ratifikimit sa më parë të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Pas fjalës së ministrit Skarphedinsson, z. Basha pati takime zyrtare me Kryetarin e Parlamentit islandez, Z. Gudbjartur Hannesson dhe Kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme, z. Arni Thor Sigurdsson, si dhe me liderin e opozitës islandeze, ish-Kryeministrin Geir Haarde, të cilët e siguruan se në seancën plenare të pasdites, Parlamenti i Islandës do të ratifikonte të dy Protokollet.
Në orët e pasdites së djeshme, Parlamenti i Islandës votoi në unanimitet, pa asnjë votë kundër, Ligjin, i cili mandaton qeverinë e Islandës për të depozituar instrumentin e ratifikimit të Protokolleve të Anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, në Uashington, duke e bërë kështu Islandën vendin e 23-të nga 26 vendet e Aleancës, që ratifikon këto protokolle.
Me këtë rast, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë shpreh falënderime të veçanta për qeverinë dhe Parlamentin e Islandës për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke e vlerësuar këtë si një shprehje tjetër e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet dy vendeve dhe e mbështetjes së vazhdueshme që Islanda i ka dhënë Shqipërisë në rrugën e saj të integrimit euro-atantik.