E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e Këshillit të Europës, një moment historik për Shqipërinë

20-05-2012 / Nga Eva Kushova

Më  23 maj, Shqipëria merr për herë të parë kryesimin e Këshillit të Europës, një prej organizatave më të mëdha dhe më të vjetra në Europë. Pas 17 vitesh anëtarësim, Shqipëria do të jetë tashmë presidentja e radhës së këtij organizmi me 47 shtete anëtare, të dedikuar për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.  Ky është vërtet një moment historik për Shqiptarët dhe përkon me vitin jubile, të 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë. Këshilli i Europës u themelua më 5 maj 1949 nga vetëm 10 shtete dhe tashmë mbulon gjithë kontinentin europian. Shqipëria u bë pjesë e kësaj organizate pak vite pas daljes nga izolimi komunist, saktësisht më 13 korrik 1995. Këshilli i Europës na shoqëroi dhe asistoi në rrugën e vështirë të tranzicionit nga diktatura në demokraci dhe shumica e arritjeve tona në demokraci janë kontribut i kësaj organizate.
Shumë kush në opinionin publik mund të ngrejë pyetje, çfarë peshe do të ketë Shqipëria, një shtet i vogël, në drejtimin e një organizate të këtyre përmasave?
Në organizata të këtij niveli, ashtu siç ndodh dhe në kryesinë e Bashkimit Europian, presidencat bashkërendohen mes tre shteteve, shtetit që e lë presidencën, atij që e merr dhe atij që do ta marrë. Edhe në këtë rast shumica e prioriteteve të Shqipërisë janë të përcaktuara dhe do jenë vazhdim i presidencës Britanike që ia dorëzon Shqipërisë çelësin e drejtimit të KiE pikërisht më 23 maj.  Shqipëria gjithashtu do koordinojë punën me presidencën pasardhëse Andorrën. Baza e punës për trojkën presidenciale është në radhë të parë: reforma politike e KiE, reforma në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, reforma në kuadër të demokracisë lokale- reforma këto që kërkojnë kontributin e Shqipërisë për të vazhduar punën e deritanishme të presidenës paraardhëse, Britanisë së Madhe.
Megjithatë pavarësisht disa prioriteteve të përcaktuara dhe detyrimit për t’i ndjekur ato, çdo presidencë e radhës i jep tonet e veta Këshillit të Europës në varësi të disa vlerave dhe prioriteteve që kanë lidhje me vendin respektiv, si dhe aktiviteteve që organizon, që varen kryesisht prej saj. Ministria e Punëve të Jashtme në bashkërendim dhe me ministritë e tjera, dhe me punën e përfaqësisë sonë në Këshillin e Europës, ka përpiluar prioritetet e presidencës shqiptare që do të udhehiqen nga motoja: “Të bashkuar në diversitet”.
Çfarë nënkupton kjo moto? Përfaqëson pikërisht atë vlerë për të cilën Shqipëria me të drejtë krenohet dhe vlerësohet ndërkombëtarisht, ‘bashkëjetesën paqësore në rajon’ dhe ‘bashkejetesën tolerante ndërfetare’ brenda vendit tonë.
Përmes një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen në Shqipëri, Kryesia shqiptare do të promovojë “të jetuarit së bashku” si një platformë e përbashkët për menaxhimin demokratik të diversitetit në Europë. Sot në mjaft vende të Europës dhe në ato të zhvilluara, ndjenjat nacionaliste, ekstremiste, raciste dhe diskriminuese ngrenë shpesh herë krye. Shqipëria përkundrazi, është vlerësuar dhe vazhdon të vlerësohet për disa vlera që qëndrojnë në themel të Këshillit të Europës, pikërisht toleranca, mosdiskriminimi, bashkejetesa nderfetare etj. Po citoj këtu sekretarin e përgjiththëm të KiE, Thobjorn Jagland i cili për presidencën Shqiptare thotë: “Nuk kam asnjë dyshim se presidenca shqiptare do jetë e suksesshme. Ka shumë për të mësuar nga Shqipëria për tolerancën dhe mikëpritjen e shoqërisë shqiptare përgjatë historisë së saj. Ja përse jam i lumtur të shoh autoritetet shqiptare që kanë qellim ti përkushtohen,  gjatë kryesimit, pikërisht raportit për të ‘jetuar së bashku’ në diversitet.  Në këtë kuadër në Tiranë do të organizohen një sërë takimesh dhe konferencash, rreth 30 aktivitete, të cilat do të rrisin dhe prestigjin e Shqipërisë në Europë dhe më gjerë. Do ketë konferenca mbi dimensionin fetar dhe dialogun ndërkulturor, aktivitete për promovimin e shoqërive demokratike e të qëndrueshme, për parandalimin e krimeve kundër njerëzimit, luftës kundër dhunës ndaj grave në familje etj. Shqipëria do të jetë vendi pritës i Kampit të Paqes për të rinjtë për vitin 2012, dhe do të ftojë përfaqësues të komuniteteve të ndryshme ndëretnike nga Europa Juglindore dhe rajoni i Ballkanit, duke dhënë mesazhe pajtimi, miqësie e bashkëpunimi në emër të së ardhmes europiane.
Gjithcka do nisë me ceremoninë e marrjes së presidencës, më 23 maj, një ceremoni që përvec anës simbolike të dorezimit të çelësit të presidencës, do të përfshijë dhe një panair me dokumentet kryesore historike të vendit tonë por edhe me produktet ushqimore shqiptare. Më tej, për ti dhënë rëndësinë presidencës tonë, në 24 maj, vjen për vizitë në Shqipëri sekretari i përgjithshëm i KiE, Thobjorn Jagland, dhe gjithcka do kurorëzohet me një koncert festiv ne Ministrine e Jashtme.
Kryesimi i Këshillit të Europës nga Shqipëria është një moment historik. Shpresojmë që ky të jetë hap i madh për njohjen e vlerave të shqiptarëve në botë, por edhe prestigjit të vendit tonë, si një vend që mund të luajë me sukses rol drejtues dhe vendimarrës në organizmat ndërkombëtare.
* Këshilltare për mediat, MPJ

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›