E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sa herë Rama gjendet në vështirësi, sulmon ndërkombëtarët

20-05-2012 / Redaksionale

Kori i tragjedisë së opozitës po bën gjamën vajtuese ndaj reformës zgjedhore. Sulmi mediatik i paprecedentë ndaj përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë dhe ambasadorit Eugen Wollfarth ka një prapavijë të strukturuar politike. Në fillim ishte dyshja majtiste Gjinushi-Milo që akuzuan Ambasadorin Wollfarth dhe OSBE-ODIHR si ishin një organizatë e vënë në shërbim të kryeministrit Berisha. Më pas ishin sulme e koordinuara paq mediatikisht me editoriale gazetash dhe kronika lajmesh në edicionet qendrore të dy kanaleve televizive kombëtare afër politikës së Ramës që zbrazën vrer ndaj ambasadorit Wollfarth, që sipas tyre, po turpëron OSBE-në. Këto sulme janë paraprirë nga komente anonime me matricë konspirative në blogje e ditarë në internet që trafikojnë dezinformim  e tallje kulinare me një lehtësi të llahtarshme. Së fundmi ka qenë partia me e re opozitare e faqezinjve që sulmoi me një gjuhë të shthurur përfaqësinë e OSBE-së, që sipas tyre, është në shërbim të kryeministrit Berisha.
Kuptohet vetiu të gjitha këto sulme në një kohë të shkurtër janë dukshëm të koordinuara prej kreut të opozitës, i cili është i vetmi  që ka një infrastrukturë të gatshme për çdo aktivitet radikal. Gjithçka vjen si pasojë e rekomandimit të OSBE-së për komisionin e Reformës Zgjedhore që neni i propozuar nga PS-ja për numërim elektronik është i papërshtatshëm për momentin, ngase “teknologjitë e reja të votimit, përfshirë numërimin elektronik të votave, duhet të implemetohen në mënyrë graduale, hap pas hapi e jo e gjitha menjëherë”. Ndonëse, PS-ja mund të ketë rezerva ndaj rekomandimit të OSBE-së, ajo nuk është shprehur zyrtarisht. Prandaj Rama përdor shtojca politike për të krijuar një klimë mosbesimi ndaj OSBE-së. Për këtë qëllim ka ndezur motorin e makinerisë e baltës dhe ingranazhet e industrisë së shpifjes. Gjithashtu kreu i PS po luan një lojë të vjetër me “ndërkombëtarët” me dy porta: së pari nxit kompleksimin e OSBE-së nëpërmjet sulmeve të strukturuara mediatike sepse kërkon të pamundurën me riorganizimin e KQZ sipas propozimit të Avokatit të popullit; së dyti intriga politike ndaj aleatëve të vegjël, të cilët po konsumohen me sulme ndaj ndërkombëtarëve, në mënyrë që të mos u jepet ajo çfarë kërkojnë, rillogaritja e shpërndarjes së votave, brenda koalicioneve partiake.
Megjithatë sulmi koral ndaj ambasadorit të OSBE-së, z. Wollfarth, u vjen natyrshëm majtistëve sepse infrastrukturën e kanë pasur të ngritur qëkurse sulmuan mediatikisht ambasadorin e SHBA-ve, z. Arvizu, për qëndrimin zyrtar të SHBA-ve ndaj ngjarjeve tragjike të 21 janarit. Infrastruktura e sulmit mediatik ndaj faktorin ndwrkombëtar u konsolidua ndaj z. Arvizu, i cili sulmua  deri në fyerje personale dhe raciste, aq sa ambasada e SHBA-ve u detyrua të reagonte me heqjen e akreditimit zyrtar të një përditshme afër Ramës. Midis Partisë Socialiste dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës qëndron një distancë e papajtueshme për autorësinë e ngjarjeve tragjike të 21 janarit 2011, ku humbën jetën 4 të pafajshëm në demonstratën e organizuar me “agjendë tjetër”.
Sidoqoftë ka një vijë sjellje të përhershme të kreut të opozitës “ma kanë fajin ndërkombëtarët” sa herë gjendet në vështirësi politike. Kjo vështirësi atij i vjen domosdoshmërish sa herë tezat e tij politike bien erë tek qytetarët dhe sipërmarrja. Teza e taksës progresive dhe për një “Rilindje të Shqipërisë”, duket tashmë të arkivuara në varrezën plot gurë betoni, ku shkruhet: “Rama e nis mirë punët, por i bitis keq”.   

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›