Presidenca italiane e EUSAIR, fokus te integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor

TIRANË, 28 korrik/ATSH/ Takimi hapës i Presidencës Italiane 2026-2027 të Strategjisë së Bashkimit Evropian për Rajonin e Adriatikut dhe Jonit (EUSAIR) që zhvilloi punimet sot në Romë, rikonfirmoi rëndësinë strategjike të këtij rajoni në përballimin e sfidave të reja gjeopolitike dhe avancimin e agjendës evropiane.
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës bëri të ditur se gjatë diskutimeve u nënvizua nevoja për shndërrimin e prioriteteve të përbashkëta në veprime konkrete, përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal, përmirësimit të lidhshmërisë në fushat e energjisë, transportit dhe sigurisë, si dhe zvogëlimit të pabarazive territoriale.
Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e angazhimit aktiv të institucioneve, komuniteteve lokale dhe shoqërisë civile në përmbushjen e objektivave të përbashkëta të rajonit.
Një nga prioritetet kryesore të diskutimeve ishte përshpejtimi i integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e konsideruar zgjerimin e Bashkimit Evropian si një investim strategjik për stabilitetin afatgjatë, qëndrueshmërinë, prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.
1 nga 5/m.m/a.f-