Presidenca shpall urgjencë: Konstituimi i institucioneve, çelësi për stabilitetin dhe kredibilitetin e Kosovës

Presidenca e Kosovës e ka cilësuar si “urgjencë shtetërore” konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja, duke paralajmëruar për dëmet e thella që po i shkakton vonesa vendit në një periudhë me sfida të mëdha rajonale e ndërkombëtare.
Në një prononcim për RTKlive, Presidenca theksoi se krijimi i menjëhershëm i institucioneve, në përputhje me vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe adresimin e interesave të qytetarëve.
Zvarritja e deritanishme, sipas saj, ka dëmtuar jo vetëm besueshmërinë e institucioneve të brendshme, por edhe ka penguar përparimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidenca u bën apel të gjithë deputetëve që të veprojnë me përgjegjësi dhe në frymën e bashkëpunimit, në mënyrë që shteti të konsolidohet dhe të përballojë me sukses proceset e rëndësishme që e presin, duke përfshirë forcimin e pozitës së tij në nivel ndërkombëtar.
Pas 54 dështimesh, Kuvendi mblidhet sërish pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Pas një bllokimi të gjatë dhe 54 tentativash të dështuara për t’u konstituuar, deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish nesër (20/8), në orën 11:00, në përpjekjen e parë pas publikimit të aktgjykimit të ri nga Gjykata Kushtetuese.
Vendimi i Gjykatës, i shpallur dje, qartëson procedurën e konstituimit: seanca duhet të vazhdojë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Aktgjykimi specifikon se grupi më i madh parlamentar duhet të propozojë kandidatin për Kryetar të Kuvendit, i cili do të votohet në mënyrë të hapur, me mundësinë e votimit deri në tri herë për të njëjtin kandidat.
Seanca e nesërme do të jetë e para që mbahet pas heqjes së masës së përkohshme që pezullonte çdo vendimmarrje nga ana e deputetëve. E gjithë vëmendja tani është përqendruar te ky takim, ku pritet të shihet nëse partitë politike do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje për bllokadën e tejzgjatur, duke përmbushur apelin e Presidencës për përgjegjësi shtetërore.
/rtsh.al/