Presidenca:Takimi i Presidentit me Ahmetin jo i programuar

Presidenca ka reaguar pas deklaratave të opozitës shqiptare në Maqedoni se kreu i shtetit Bamir Topi gjatë vizitës në Shkup ka takuar vetëm liderin e BDI-së, Ali Ahmeti. Në një deklaratë për shtyp presidenca thekson se Presidenti Topi, nuk ka pasur asnjë takim të programuar me drejtues të partive politike shqiptare në Maqedoni. Sipas saj takimi me zotin Ali Ahmeti, i cili ka ngjallur ndjeshmërinë e partive të tjera shqiptare në Maqedoni, ka qenë një takim rastësor i bërë në mjediset ku po zhvillohej ceremonia e përurimit të “Qendrës Përkujtimore të Holokaustit”.
“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi gjithmonë ka inkurajuar e mbështetur bashkëpunimin e harmoninë mes forcave politike shqiptare në Maqedoni si faktorë stabiliteti e paqeje, edhe në rajon. Këtë qëndrim të njohur të tij, Presidenti Topi e përsëriti në të gjitha takimet zyrtare që pati gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Çdo interpretim tjetër i takimit të rastësishëm me Kryetarin e PDI-së, Ali Ahmeti, është i pasaktë dhe nuk i kontribuon aspak frymës së vazhdueshme që Kryetari i Shtetit shqiptar ka përçuar për unitetin e faktorit shqiptar në Maqedoni, si kontribues i rëndësishëm i aspiratave integruese të vendit” thuhet në deklaratën e presidencës.
Gjithashtu Presidenti Topi rithekson se vetëm bashkëpunimi, uniteti dhe angazhimi institucional i faktorit shqiptar në Maqedoni, janë rruga e duhur për të realizuar aspiratat e tyre në kuadrin e integrimit euroatlantik të këtij vendi mik.