E Shtunë, 31 Tetor 2026

President Obama mbajti fjalimin mbi gjendjen e vendit

Mbrëmë, në një sesion të përbashkët të Kongresit, Presidenti Obama mbajti fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit. 
 
Zoti Obama u tha ligjvënësve se ka shumë progres për të raportuar.
 
Presidenti tha se pas viteve të një recesioni rraskapitës, bizneset kanë krijuar më shumë se 6 milionë vende të reja pune; vendi po blen më shumë makina amerikane dhe më pak karburant të huaj; ndërsa tregu i strehimit është shëruar, dhe tregu i aksioneve është rigjallëruar.
 
Presidenti tha se gjendja e vendit është më e fortë dhe rrënojat e pasojave të krizës janë pastruar.
 
Por Presidenti Obama shtoi se ka shumë amerikanë të cilët janë ende në kërkim për kohë të plotë pune. Ai tha se ndërsa fitimet e korporatave janë rritur në nivel rekord, pagat dhe të ardhurat mezi kanë lëvizur.
 
Presidenti tha se është detyrë e brezit tonë të rindezë  motorin e vërtetë të rritjes ekonomike të Amerikës- klasës së mesme në rritje të lulëzuar.
 
Presidenti tha se është detyrë e papërfunduar për të rivendosur ujdinë bazë që ndërtoi këtë vend - idenë se në qoftë se punoni shumë dhe përmbushni përgjegjësitë tuaja, ju mund të ecni përpara, s'ka rëndësi se nga vini, si dukeni, ose cilin doni.
 
Ai tha se është detyrë e papërfunduar për të siguruar se qeveria punon në emër të shumicës, inkurajon sipërmarrjen e lirë, shpërblen nismën individuale, dhe hap dyert e mundësisë për çdo fëmijë.
 
Zoti Obama tha se populli amerikan pret nga qeveria për të vënë interesat e kombit para partisë.
 
Presidenti Obama tha se tani është mundësia më e mirë për reformën e taksave që nxit krijimin e vendeve të punës dhe ndihmon në zvogëlimin e deficitit.
 
Ai tha se populli amerikan meriton një kod fiskal në të cilin bizneset e vogla të shpenzojnë më pak kohë për plotësimin e formularëve të komplikuara dhe më shumë kohë për zgjerimin dhe punësimin.
 
Presidenti Obama tha se ai do të punojë me shtetet për të përmirësuar sistemin parashkollor për çdo fëmijë amerikan, dhe që  shkollat ​​e mesme të pajisen sa më mirë  për të përgatur studentët për një karrierë në fushën e teknologjisë së lartë. Presidenti Obama tha se Amerika gjithashtu duhet të përballen me kërcënimin në rritje të shpejtë të sulmeve kibernetike dhe i bëri thirrje Kongresit të miratojë legjislacionin e nevojshëm për mbrojtjen e vendit nga sulme të tilla.
 
Zoti Obama u thirrje ligjvënësve të miratojnë legjislacionin për të investuar në projekte për të rritur ekonominë, duke përfshirë në infrastrukturë dhe arsim. Ai e lidhi ekonominë me çështjen e ndryshimeve klimatike,  dhe bëri thirrje për projekte të energjisë së pastër.
 
Lidhur me  Afganistanin, Presidenti Obama tha se rreth 50 për qind e forcave amerikane që shërbejnë momentalisht - reth 34.000 - do të jenë në atdhe brenda një viti. Në kulmin e luftës 10 vjeçare, Shtetet e Bashkuara kishin rreth 100,000 trupa në Afganistan. Transferimi i plotë i kontrollit të sigurisë nga NATO tek forcat afgane është planifikuar për vitin 2014.
 
Presidenti tha gjithashtu se Koreja e Veriut duhet ta dije  se do të arrijë siguri dhe prosperitet duke përmbushur detyrimet e veta ndërkombëtare, dhe se provokime të tilla si prova bërthamore e së martës do ta izolojë atë më tej.

Zoti Obama përsëriti gjithashtu thirrjen për një zgjidhje diplomatike të çështjes mbi programin bërthamor të Iranit.
 
Zoti Obama i kërkoi Kongresit të miratojë legjislacionet në dy çështje aktualisht në debat: kontrollin e armëve dhe reformën e imigracionit.
 
Lidhur me tregëtinë,  presidenti Obama njoftoi se SHBA do të nisin bisedimet për një tregti të plotë Transatlantike dhe Partneritet për Investime me Bashkimin Evropian, duke thënë se një tregti që është e drejtë dhe e lirë nëpër Atlantik mbështet miliona vende pune në Amerikë.  BE-ja prej 27 vendesh anëtare, është partneri më i madh tregtar i Shteteve të Bashkuara.
 
Ai tha se përparimi në pjesët më të varfëra të botës pasuron të gjithë njerëzit. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara do të bashkohen me aleatët e tyre për të çrrënjosur varfërinë ekstreme gjatë dy dekadave të ardhshme. Presidenti tha se një brez pa SIDA është brenda mundësive.

Presidenti Obama tha se Shtetet e Bashkuara duhet të mbeteN një fanar për të gjithë ata që kërkojnë lirinë gjatë kësaj periudhe të ndryshimit historik.
 
Ai tha se SHBA do të mbetet lidhje ankoruese e aleancave të forta nga Amerika në Afrikë, nga Evropa në Azi
 
Sipas Kushtetutës amerikane, presidenti është i detyruar "nga koha në kohë për të informuar Kongresin mbi gjendjen e vendit dhe të rekomandojë masa që ai i gjykon të nevojshme dhe të përshtatshme."

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›