Presidente e plotë

Atifete Jahjaga mund të rrijë e qetë në karrigen e Presidentes së Kosovës. Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të premten se synimi për t’ia shkurtuar mandatin përmes ndryshimeve kushtetuese nuk është në pajtim me aktin më të lartë juridik në vend.
Në fakt Gjykata ka dhënë një përgjigje rreth pyetjeve që i ka dërguar në këtë institucion në fillim të muajit maj Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, se a janë në përputhje me Kushtetutën amendemantet e propozuara nga Komisioni ad hoc për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Vetëm pak ditë më vonë (më 14 maj), Express kishte publikuar një artikull ku burime të gazetës kanë bërë të ditur se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë pajtuar që Amendamentin e Dhjetë të propozimeve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese ta kualifikojnë si jo në përputhje me të drejtat dhe liritë e njeriut.
Pikërisht ky nen parasheh përfundimin e mandatit të Presidentes Atifete Jahjaga për çka ishin dakorduar Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Behgjet Pacolli vitin e kaluar në një marrëveshje të arritur me ndërmjetësimin e Ambasadorit të SHBA’ve në Prishtinë. Por Gjykatës i janë dashur rreth dy muaj për ta “shqyrtuar” çështjen e Presidentes dhe amendamentet tjera.
“Gjykata Kushtetuese gjeti se amendamentet e propozuara të neneve vijuese duket se pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të”, thuhet në vendim.
Por, pavarësisht se vendimi i Gjykatës është publikuar të premten, disa parti politike më saktësisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Kosovën e Re, kishin kërkuar dorëheqjen e Jahjagës gjatë kohës sa Gjykata ka qenë duke u marrë me rastin,pasi kanë kuptuar se edhe Presidentja Jahjaga në një letër për Gjykatën me kërkesë të kësaj të fundit, ka argumentuar kundër shkurtimit të mandatit.
Vetë Jahjaga nuk ishte përgjigjur ndaj këtyre kërkesave për dorëheqje. Zyrtarët në Presidencë kanë thënë se po presin vendimin.
Por, edhe të premten, kur ka dalë vendimi, Express ka provuar të kontaktojë përgjegjësitë për media në Presidencë për të marrë përgjigje nëse Jahjaga synon të qëndrojë në zyrë deri më 2016. Por, zyrtarët për media nuk i kanë hapur telefonat.
Por, ai që ka përkrahur mbetjen e Jahjagës në postin e Presidentes ka qenë Ambasadori i SHBA’ve Christopher Dell në një intervistë për RTK.
“Liderët kanë ndërmarrë masat më të mira të mundshme për tu përballur me krizën e asaj kohe ashtu siç e kanë kuptuar në atë kohë . Zgjedhja e Presidentes Jahjaga ka qenë një zgjidhje për shumë gjëra, për një krizë të madhe dhe zgjedhja e saj ka zgjidhur shumë probleme sepse janë hequr ato elementet e jostabilitetit institucional që po e dëmtonin sistemin”ka thënë Dell
Ai madje ka theksuar se zgjidhja që është bërë është treguar funksionale duke theksuar se nuk ka nevojë që të kërkohet një mandat i ri për dëshirën siç ka thënë ai të disa liderëve që duan të bëhen Presidentë apo edhe disa udhëheqës mediash që po ashtu synojnë Presidencën.
Por Dell ka folur edhe diçka që mund të zbulojë hipokrizi. Sipas tij disa udhëheqës partish politike në publik kërkojnë dorëheqjen e Jahjagës por këtë nuk e bëjnë privatisht duke thënë madje se janë të kënaqur me Atifeten. Nga bisedat e mia private asnjë nga liderët politikë asnjë nuk është i pakënaqur me performansën e Presidentes Jahjaga dhe nuk duan aq shumë të kenë zgjedhje pa marrë parasysh se cfarë thonë në publik” ka thënë Dell.
Në reagimin e Kryeministrit Thaçi ndërkaq shprehet mbështetja për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Aty nuk thuhet ndonjë lëvdatë për Atifeten.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Adifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështes dhe respektoj plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës.
Po ashtu, si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shpreh vlerësimin e lartë për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese” ka thënë ai.
Sipas Thaçit, dikush mund të ketë pakënaqësi.
“Në momente si ky, përkundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët. Unë kam besim në pjekurinë tonë politike” ka thënë ai.