Thaçi: E respektoj vendimin e Gjykatës

Kreu i qeverisë ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me mandatin e Presidentes së Kosovës, Adifete Jahjaga është vendim i një organi të lartë dhe të pavarur, të cilin e mbështet dhe respekton plotësisht si kryeministër i Qeverisës së Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, si kryeministër i Republikës së Kosovës, shpreh vlerësimin e lartë për institucionet dhe klasën politike të Kosovës, që kanë etabluar një traditë të mirë të respektimit të plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.
“Respektimi i vendimeve të gjykatës nuk duhet të jetë vetëm rezultat i vullnetit por edhe shprehje e pjekurisë dhe domosdoshmërisë së respektimit të institucioneve të pavarura”.
“Prandaj, si lider politik dhe institucional, i respektoj vendimet e gjykatës dhe apeloj që paralelisht të punojmë në reformat kushtetuese dhe zgjedhore”, thuhet në deklaratën e kryeministrit.
Me tutje ai ka thënë se ata kanë shumë punë para tyre lidhur me reformat e mëdha na presin drejt rrugës së integrimeve euroatlantike.
“Në momente si ky, për kundër pakënaqësive që mund të shkaktohen në kontekstin e ngushtë partiak apo personal, ne e kemi për detyrë t’i tejkalojmë interesat individuale dhe të punojmë për të mirën tonë të përbashkët” ka thënë Thaçi në këtë deklaratë.
Në fund ai ka shprehur besimi e tij në pjekurinë politike.
Bajrami: Interpretimi i gjykatës i paqartë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe Prof. Dr.Arsim Bajrami, kryetar i Komisionit ad hoc për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Fillimisht dëshiroj të sqarojë që teksti i vlerësuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese nuk është propozim i Komisionit për amandamentimin e Kushtetutës por i liderëve të katër partive Politike (PDK, LDK, AKR, AAK), i dorëzuar pasi që komisioni për amandamentimin e Kushtetutës ka dorëzuar draftin zyrtar te propozim-amendamenteve, i mbështetur nga 30 deputetë”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, “vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese tejkalon limitet e përcaktuara të juridiksionit të saj konform nenin 144 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, sepse asnjëra nga amendamentet e vlerësuara nuk bien ndesh me kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, për arsye se amendamentet e kontestuara nga Gjykata Kushtetuese janë edhe praktikë e kushtetutave më moderne të botës, të cilat komisioni i ka marrë si model gjatë procesit të ndryshimit të kushtetutës”.
“Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese ashtu siç është dhënë, është i paqartë dhe jo konkret sepse nuk citon ndonjë nen të kushtetutës, konkretisht të kapitullit II të saj, por vetëm shfaq dyshime në interpretim duke përdorur shprehjen “duket se pakëson”, shprehje kjo e cila lë hapësirë për interpretime të dyfishta dhe alternative”, thotë ai.
Bajrami thekson se një interpretim i tillë i ngushtë paraqet ndërhyrje të kësaj Gjykate në procesin Kushtetutëdhënës, njëherit kjo mund të shihet edhe si ndërhyrje në kompetencat e kuvendit për miratimin dhe ndryshimin e kushtetutës.
“Kjo tendencë e interpretimit të ngushtë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, në të ardhmen mund të paraqet një precedent, sa i përket qasjes ndaj ndryshimeve kushtetuese dhe kjo tendencë e interpretimit automatikisht e shndërron Gjykatën Kushtetuese në “autorë” të ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht në pushtet të katërt, gjë që bie në kundërshtim me parimin fondamental kushtetues të ndarjes së pushteteve”.
Në fund Bajrami thotë se “sa i përket amendamentit 10 (dhjetë) që parashikon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, 6 përkatësisht 9 muaj pas hyrjes në fuqi të këtyre amendamenteve, ai ka paraqitur bazën politike në rastin e zgjedhjes së presidentit/es dhe nisjen e procesit të ndryshimit të kushtetutës. Ky amendament njëherësh mban autorësinë e katër liderëve të partive politike (PDK, LDK, AKR, AAK), andaj komisioni kushtetues vlerëson se autorësia e këtij amendamenti i takon liderëve politik, të cilët e kanë dërguar propozimin për vlerësimin e amendamenteve tek Gjykata Kushtetuese dhe të njëjtit janë përgjegjës për menaxhimin e situatës kushtetuese dhe politike të krijuar”
Foli Gjykata, Jahjaga Presidente deri më 2016
Më në fund, Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e saj rreth propozimeve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese, veçanërisht për Nenin 10, ku parashihet shkurtimi i mandatit të Presidentes aktuale, Atifete Jahjagës.
Gjykata ka thënë se kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Kjo i bie se Presidentja Jahjaga, përveç nëse dëshiron të jap dorëheqje, askush nuk mund ta nxjerr nga zyra ku hyri si pasojë e një marrëveshje politike mes tre liderëve kryesorë të vendit; Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Behgjet Pacollit.
Gazeta Express, për këtë vendim që u zyrtarizua sot, ka shkruar qysh më 14 maj, 2012.
Më poshtë teksti i plotë i vendimit të Gjykatës.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot mori vendim në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara të Kushtetutës së Kosovës në rastin KO29/12, të parashtruar më 23 mars 2012, dhe në rastin KO48/12, të parashtruar më 4 maj 2012. Kërkesat i ka parashtruar Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Për shkak të objektit të çështjes këto kërkesa u bashkuan dhe u shqyrtuan së bashku. Amendamentet e dorëzuara në Gjykatë më 4 maj 2012 nga ana e Kryetarit të Kuvendit përfshinë edhe amendamentet e dorëzuara më 23 mars 2012.
Gjykata Kushtetuese gjeti se amendamentet e propozuara të neneve vijuese duket se pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës dhe rrjedhimisht nuk janë në pajtim me të:
1. Neni i ri i propozuar 85.2 (Në lidhje me kufizimin e të drejtës për të qenë kandidat për President vetëm për qytetarët që janë banorë të përhershëm të Republikës së Kosovës për pesë vite)
2. Neni i ri i propozuar 86.3 (Në lidhje me nominimin për pozitën e Presidentit të Kosovës – sepse ka të bëjë vetëm me subjektet politike parlamentare të cilat e kanë kaluar pragun zgjedhor në zgjedhje e fundit)
3. Neni i ri i propozuar 90.5 (2) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme)
4. Neni i ri i propozuar 90.5 (3) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për të emëruar gjyqtarët dhe prokurorët)
5. Neni i ri i propozuar 90.5 (5) (Në lidhje me kufizimin e kompetencave të një Ushtruesi të Detyrës së Presidentit për shpalljen e faljeve)
6. Neni i ri i propozuar 104.1 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të rregullta)
7. Neni i ri i propozuar 114.2 (Në lidhje me veton pezulluese të Presidentit për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese)
8. Neni i ri i propozuar 162.1 (Në lidhje me ndërprerjen e parakohshme të mandatit Presidentit të Republikës së Kosovës)
Vendimi i plotë i Gjykatës do t’u dërgohet palëve dhe do të jetë në dispozicion në uebfaqen e Gjykatës dhe do të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës në kohën e duhur.