Presidenti Begaj në Firmo: Diversiteti kulturor, burim pasurimi dhe harmonie

Nga komuna e firmos në Itali Presidenti Bajram Begaj vlerësoi rolin e arbëreshëve për fuqinë e identitetit dhe trashëgiminë kulturore.
Gjithashtu kreu i shtetit përcolli mesazhin për ruajtjen e traditës dhe gjuhës.
Ai ju drejtua pjesëmarrësve në këtë festë të “Valljes” të promovojnë njohjen e identitetit dhe diversitetin kulturor.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të shohim të “vallëzojnë lirshëm” veçanërisht të rinjtë, të cilët duhet të luajnë një rol thelbësor në ruajtjen e kësaj trashëgimie. Të rinjtë janë ambasadorët e ardhshëm të kulturës sonë dhe mbajtësit e flamurit të identitetit arbëresh dhe shqiptar”, u shpreh Presidenti Begaj, i cili tha se duhen përgatitur brezat për të përballuar sfidat e globalizimit, si dhe duke ruajtur unikalitetin e trashëgimisë.
“Kultura dhe tradita arbëreshe, si pjesë shumë e rëndësishme e kulturës shqiptare, janë dëshmi e fuqisë së lirisë për të mbijetuar përmes shekujve, edhe në kushte të vështira dhe ndryshime të mëdha historike”, vlerësoi Presidenti Begaj.
Sikurse në takimet e mëparshme me arbëreshët, edhe në Firmo Kreu i Shtetit përcolli mesazhin për ruajtjen e traditave, kulturës e gjuhës, si një mënyrë për të kujtuar origjinën, por dhe për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme.
/rtsh.al/