E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Biden mbërrin në Poloni

Presidenti amerikan Joe Biden mbërriti të premten në Poloni, pas një takimi në Bruksel  me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, njofton Zëri i Amerikës.

Dy udhëheqësit njoftuan formimin e një grupi pune të përbashkët për të reduktuar varësinë e Evropës nga karburantet fosile ruse.

Presidenti Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur të ardhurat që ka  siguruar nga shitja e energjisë për të furnizuar makinerinë e tij të luftës në Ukrainë.  Ai theksoi se populli amerikan nuk do të ishte pjesë e subvencionimit të luftës brutale   dhe të pajustifikuar të Vladimir Putinit kundër popullit ukrainas.

Nga ana e asaj zonja Von der Leyen tha se Bashkimi Evropian mbetet i vendosur në  kundërshtimin e luftës brutale të Rusisë, e cila siç tha ajo, do të jetë një dështim  strategjik për Presidentin Putin.

Këtë vit Shtetet e Bashkuara do t’i japin Evropës 15 miliardë metër kub gaz natyror të  lëngshëm.

Gjatë qëndrimit në Poloni, Presidenti Biden do të vizitojë Rzeszów-in (Zhezhovin) një  qytet në veri të vendit, pranë kufirit me Ukrainën. Polonia, një vend i NATO-s, ka marrë  rreth 2 milionë refugjatë ukrainas.

Të enjten në mbrëmje vonë, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë  Atomike Rafael Mariano Grossi, tha se sipas autoriteteve ukrainase forcat ushtarake ruse  po bombardonin pikat e kontrollit në Slavutiç, një qytet ku jetojnë kryesisht ata persona 
që punojnë në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet aty pranë. Zoti Grossi shtoi  se situata po rrezikon jetën e tyre dhe po e bën të pamundur rotacionin e mëtejshëm të  personelit në impiant.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›