E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Cara: Grupi do pranojë emrin e Kryesisë

Deputeti i PD, Igli Cara

Flet deputeti i PD-së, Igli Cara.

Profili i Topallit e bën normal artikulimin e emrit të saj. Topi, mosmirënjohës ndaj PD

Deputeti i PD-së në qarkun e Durrësit, Igli Cara, e quan normal artikulimin e emrit të kryeparlamentares Jozefina Topalli për postin e Presidentit. Në një intervistë për gazetën Panorama ai thotë se kandidatura e së djathtës do të jetë një figurë me staturë të fortë politike. Lidhur me emrat e Berishës dhe të Nanos, kreu i PD-së së Durrësit thekson se Kryeministri është shprehur më parë lidhur me këtë çështje. Në të njëjtën kohë ai sulmon edhe partinë e re të Bamir Topit, për të cilën thotë: A mundet të na thotë dikush cila është filozofia e kësaj partie? Në fakt, është vetëm një, Bamiri të mbetet në politikë. Kush mund të besojë një parti dhe një lider që për vite të tëra qëndron nënkryetar i PD-së, që asnjëherë të vetme nuk ka një qëndrim të tijin të ndryshëm nga ai i PD-së, që me votat e PD-së bëhet President dhe që nxihet e egërsohet nga ndryshimet kushtetuese të 2008-s dhe që fati e çon në kutinë e gabuar më 8 maj?.
Zoti Cara, me rifillimin e aktivitetit politik, pas festave të fundvitit, po zhvillohet një debat për zgjedhjen e Presidentit, që do të bëhet në muajin korrik. Maxhoranca ka deklaruar se ai do të zgjidhet me 71 vota, ndërsa ambasadorët e huaj kanë përsëritur qëndrimin për një President konsensual. Përse po kërkohet nga shumica që të kalohet direkt në raundin e katërt, kur janë edhe tri raundet e para kur mund të tentohet konsensusi me opozitën?
Fillimisht doja të thosha që debati apo diskutimi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës është i parakohshëm dhe për më tepër më duket i nxitur pak nga ata që duhet të flasin shumë më vonë për këtë gjë. Axhenda politike e vendit ka shumë gjëra më të rëndësishme deri në korrik 2012, megjithatë, para se tju jap përgjigjen, po i bëj një korrigjim të vogël, por esencial, pyetjes suaj. Maxhoranca nuk ka deklaruar që Presidenti do të zgjidhet me 71 vota, por ka deklaruar që zgjedhja e Presidentit do të bëhet në përputhje dhe respekt të nenit 87 të Kushtetutës së Shqipërisë. Zgjedhja e Presidentit, sipas Kushtetutës, kalon në disa raunde, ku i pari, i dyti dhe i treti e marrin në konsideratë faktin që emri apo figura e propozuar duhet të ketë konsensusin e palëve në Parlament, pra tre të pestat e votave, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë Parlamenti e zgjedh Presidentin me 71 vota, pra mbi gjithçka vendoset stabiliteti politik i vendit. Ndryshimet kushtetuese të 2008-s, të propozuara nga PS dhe Edi Rama, morën konsensusin e maxhorancës në atë kohë, por ky konsensus nuk mund të varet dhe kushtëzohet në funksion të fitoreve apo humbjeve të z. Rama. Nuk mundet askush të ndjekë ciklin politik të Ramës sa herë ka zgjedhje në këtë vend, sepse mbi interesat e individëve janë interesat e vendit. Karrigia e Ramës, e humb apo e fiton, nuk mund të jetë gjëja më e rëndësishme në këtë vend.
Kryeministri Berisha është shprehur se nuk do të kandidojë për President, por kanë qenë disa deputetë të PD-së që janë shprehur në favor të kandidaturës së tij. Cili është vlerësimi juaj?
Kësaj pyetjeje i ka dhënë përgjigje vetë Kryeministri Berisha. Çdo përgjigje tjetër nuk do të kishte vlerë.
Në të njëjtën kohë brenda PD-së është artikuluar jo pak herë edhe emri i kryeparlamentares Jozefina Topalli. E shikoni Topallin si Presidente të ardhshme? A nuk rrezikon maxhoranca fitoren në zgjedhjet e 2013-s duke marrë të gjithë krerët e institucioneve?
Partia Demokratike është shprehur qartë që kandidatura e Presidentit të Republikës do të vijë nga radhët e saj dhe për më tepër do të jetë një figurë me staturë të fortë politike. Natyrisht, ka mjaft figura me domethënie të tillë në PD, por meqenëse ju pyesni për kryetaren e Parlamentit, mendoj që karriera politike dhe profili i znj. Topalli e bën më se normal artikulimin e emrit të saj. Personalisht mendoj që emri i propozuar nga Kryesia e PD-së do të ketë votat e Grupit Parlamentar, sepse në fund të fundit vendimi është politik.
A mund të mbështetet kandidatura e Fatos Nano për President nga maxhoranca në kushtet kur opozita kërkon një proces konsensual?
E kuptoj që ju duhet lajmi. Përgjigjen e ka dhënë kryetari i PD-së dhe Kushtetuta. Komente mbi vendime politike dhe mbi nenet e Kushtetutës nuk ka sens të bëhen.
Kabineti qeveritar po shkon drejt fundit të vitit të tretë të mandatit të dytë. A duhet të ketë ndryshime në qeveri, apo maxhoranca do të duhet të shkojë me këtë kabinet për të kërkuar një mandat të tretë para shqiptarëve?
Kabineti qeveritar është ai që solli fitoren e 2009-s, por dhe 140 mijë vota më shumë për maxhorancën në zgjedhjet e 8 majit. Ky kabinet qeveritar është në mes të mandatit të tij, ai ka objektivat dhe rezultatet e tij. E rëndësishme është që vendi nuk hyri në recension, që investimet publike vazhdojnë dhe që rritja e pagave dhe pensioneve vazhdon.
Presidenti Bamir Topi pritet të krijojë një parti të re, e cila do të tentojë të marrë vota nga elektorati i djathtë. I trembeni faktit se kjo parti mund të vërë në dyshim fitoren e zgjedhjeve të vitin 2013?
Krijimi i partisë së Topit nuk është deklaruar nga vetë Topi, por nga të ashtuquajturit mbështetës të tij, që për të thënë të vërtetën, kanë mbajtur gjatë në PD poste drejtuese, që kanë qenë në shumë legjislatura deputetë, madje dhe ministra. Historia politike e këtyre 20 viteve ka treguar që është më lehtë të pranosh diversitetin e mendimeve dhe veprimeve brenda partisë së madhe, se të tentosh krijimin e partiçkave, aq më shumë kjo e Topit, që nuk ka as ideologji, as filozofi dhe as bazën në popull ku të mbështetet. A mundet të na thotë dikush cila është filozofia e kësaj partie? Në fakt, është vetëm një: Bamiri të mbetet në politikë. Kush mund të besojë një parti dhe një lider që për vite të tëra qëndron nënkryetar i PD-së, që kurrë, asnjëherë të vetme nuk ka një qëndrim të tijin të ndryshëm nga ai i PD-së, që me votat e PD-së bëhet President dhe që nxihet e egërsohet nga ndryshimet kushtetuese të 2008-s dhe që fati e çon në kutinë e gabuar më 8 maj? Bamir Topi dhe ata pak mbështetës të tij nuk kanë as energjinë dhe as besueshmërinë për tu dhënë njerëzve një politikë ndryshe, sepse jashtë PD-së ata nuk përfaqësojnë asgjë. Qesharak është turi i tij në bashkitë socialiste, ku në Durrës u prit nga miku i tij, z. Dako dhe punonjësit e Bashkisë së Durrësit (të mos përziejmë në këtë diskutim dhënien e disa çmimeve për disa figura të nderuara të qytetit, të cilat prej kohësh janë propozuar nga shoqata Durrësi dhe Ministria e Kulturës). Për ta mbyllur pyetjen tuaj, në Kuran dhe Bibël thuhet se një nga mëkatet më të mëdha është mosmirënjohja. Kjo vlen për Bamirin dhe ca që e presin dhe e shoqërojnë.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›