E Enjte, 5 Nëntor 2026

Presidenti Meta këmbëngul në miratimin urgjent të “Ligjit për Referendumin”

Presidenti Ilir Meta ka kërkuar miratimin urgjentisht të një nisme për referendumet, pasi sipas tij vetëm sundimi i popullit do të garantojë sundimin e ligjit për të gjithë njësoj. 
Në një status në Facebook zoti Meta shkruan se ky miratim duhet bërë në mënyrë që të kemi një ndryshim drastik të situatës. Sipas tij “populli të marrë në kontroll politikanët, dhe jo kur populli të mbetet peng i politikanëve”.
“Ky ligj duhet të jetë arma në duart e qytetarëve të këtij vendi, që të mos jenë më të pambrojtur, dhe jo vetëm kaq, por edhe të poshtëruar, që të mos jenë më të nënshtruar ndaj arbitraritetit të çdo vendimi të marrë, por të vendosin vetë për çdo çështje me rëndësi” shkruan zoti Meta.
Sipas presidentit “Në një vend të lirë, nuk ka më mirë se demokracia direkte që i bën qytetarët të angazhohen vetë, të luftojnë apatinë, paligjshmërinë dhe vendimmarrje të llojit klientelist, për të realizuar të drejtat dhe prosperitetin e tyre”. 
“Më mirë të jenë politikanët nën kontrollin e qytetarëve, sesa një popull i tërë të mbetet peng i politikanëve të provuar si të papërgjegjshëm. 
Vetëm sundimi i popullit përmes REFERENDUMIT do të garantojë sundimin e ligjit për të gjithë njësoj” mbyll mesazhin e tij në Facebook presidenti Ilir Meta.
Një ditë më parë ai deklaroi se “Asgjë e mirë, e sigurt, e qëndrueshme, afatgjatë dhe europiane nuk do të ndodhë në Shqipëri, pa u miratuar “Ligji për Referendumin””.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›