Presidenti Meta paralamëron Avokaturën e Shtetit

Presidenti Ilir Meta i ka kërkuar Avokaturës së Shtetit informacion për çështjet në proces dhe vendimet e gjykatave të arbitrazhit ku shteti shqiptar është palë. Në një letër drejtuar për dijeni edhe ministrisë së financave e ekonomisë si dhe kryeministrisë, zoti Meta kujton se kjo është hera e tretë që presidenca kërkon informacion, por sipas tij ka “plot 3-muaj e 15 ditë pa asnjë përgjigje!”.
Duke e konsideruar këtë situatë aspak të logjikshme, në letrën e presidentit paralajmërohet se ai “do të ndërmarrë të gjitha hapat ligjorë për referimin e rastit të shpërdorimit të detyrës në organet ligjzbatuese”. “Përmes kësaj shkrese, ju bëjmë thirrje të reflektoni e të mos rëndoni edhe më shumë pozitën tuaj si Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, duke bashkëpunuar në kryerjen e veprimeve që mund të klasifikohen si vepra penale me pasoja të rënda për vendin, dhe të mos pengoni Kreun e Shtetit të ushtrojë kompetencat e tij kushtetuese” bëhet e ditur në këtë dokument. “Nëse ju po pengoheni, apo jeni urdhëruar, për mos ta dhënë këtë informacion për Kreun e Shtetit, atëherë ju kujtojmë se sipas ligjit ju sërish mbartni detyrimin për të informuar Kreun e Shtetit, si dhe organet e ndjekjes penale, për konsumimin e një tjetër vepre penale” bën të ditur dokumenti.
Në letër presidenti Ilir Meta kërkon informacion për:
– Numrin e çështjeve në proces pranë Gjykatave të Arbitrazhit, ku Republika e Shqipërisë është palë dhe të dhënat rreth tyre, përfshirë strukturën që ndjek këto çështje;
– Nëse për çështjet në proces në Gjykatat e Arbitrazhit janë kontraktuar shërbime të përfaqësimit dhe të konsulencës, përfshirë të dhënat mbi mënyrën e përzgjedhjes, kontraktimit, shpenzimet dhe pagesat e kryera për to, apo në pritje për t`u kryer;
– Numrin e çështjeve të fituara nga shtetit Shqiptar në Gjykatat e Arbitrazhit;
– Numrin e çështjeve të humbura në Gjykatat e Arbitrazhit, me të dhëna mbi:
– Efektin financiar (detyrimin) për shtetin shqiptar sipas vendimit;
– Shpenzimet administrative për mbulimin e kostove të procesit, përfshirë shpenzimet për kontraktimin e shërbimeve të përfaqësimit dhe të konsulencës, si dhe mënyrën e përzgjedhjes dhe kontraktimit të tyre.
– Bazuar mbi çështjet e humbura në gjykatat e arbitrazhit ndërkombëtar, a ka referuar Avokatura e Shtetit deri më tani çështjet në organet përkatëse për nxjerrjen e përgjegjësive individuale administrative, civile dhe/ose penale për dëmin e shkaktuar ndaj interesave financiare të shtetit shqiptar, apo jo.
– Informacion të veçantë mbi lindjen dhe ecurinë e çështjes së Arbitrazhit ICSID nr. ARB/15/28 “Hydro dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, duke përfshirë edhe kopje të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, në gjuhën që është dhënë dhe përkthimin e tij zyrtar në gjuhën shqipe.