Presidenti Obama kërkon mbështetje për planin e tij

Presidenti Barak Obama, u bëri thirrje amerikanëve që të mbështesin planin për të rimëkëmbur ekonominë, duke thënë se ka rëndësi të madhe që vendimet e vështira të merren tani.
Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në radio dhe në Internet, Presidenti Obama tha se buxheti i tij është hartuar duke i bërë një vlerësim të drejtë të situatës aktuale dhe nevojave të së ardhmes.
Presidenti i bëri një shpjegim planit të tij për të riparuar ekonominë, duke përfshirë reformimin e kujdesit shëndetësor, hapjen e vendeve të punës, rigjallërimin e tregut të kredive dhe rimëkëmbjen e tregut të shtëpive.
Presidenti tha se njoftimi i djeshëm se papunësia është në nivelin më të lartë që prej 25 vjetësh, nuk përbën thjesht një shifër por simbolizon vështirësitë që po kalojnë miliona amerikanë.
Zoti Obama thotë se zgjidhja e krizës ekonomike nuk do të jetë as e shpejtë dhe as e lehtë. Por ai shprehu besimin se vendi do të dalë nga kjo situatë më i fortë dhe më i begatë, nëse merr masa të shpejta, të guximshme dhe të përgjegjshme. //ii