E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron atdhetarin e shquar Zenel Hito Gjoleka (Pas vdekjes) me Urdhrin “Nderi i Kombit”

28 prill 2012
Kuç, Vlorë

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit, mori pjesë sot paradite në ceremoninë përkujtimore me rastin e 160-vjetorit të rënies së atdhetarit kuçiot Zenel Hito Gjoleka, të organizuar nga Kryesia e fshatit Kuç, shoqatat kulturore atdhetare “Labëria” dhe “Vëllazërimi Kuçiot”, ku ishin të pranishëm Nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, Ministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, artistë, figura të shquara intelektuale të zonës, etj.

I pritur në një atmosferë të ngrohtë festive nga Kryetari i Komunës Horë-Vranisht, Simbol Pazaj dhe nga banorë të shumtë dhe drejtues të komunave përreth, Presidenti Topi u përshëndet e u takua përzemërsisht me ta, duke shprehur kënaqësinë e vizitës në një prej fshatrave më të mëdha të krahinës së Kurveleshit dhe një prej zonave më të njohura të Labërisë, në fshatin malor pranë detit, në Kuç.

Vizita e Kreut të Shtetit nisi me homazhet në Varrezat e Dëshmorëve të fshatit Kuç, duke vendosur kurorë me lule e duke u përulur me respekt e nderim të veçantë për kontributin heroik e atdhedashës të të gjithë bijve të shquar të tij.

Më tej, pasi Kryetari i Shtetit vendosi edhe një kurorë me lule në monumentin e sapongritur të Gjolekës, vepër e skulptorit Zeqir Alizoti, u zhvillua ceremonia e dekorimit të komandantit të forcave kryengritëse të zonave midis Kurveleshit, Çamërisë, Delvinës, Gjirokastrës dhe Vlorës, Zenel Hito Gjolekës, për rolin e rëndësishëm në bashkimin e shqiptarëve si një tërësi etnike me interesa të përbashkëta, pavarësisht nga feja e krahina, në fillim të shekullit XIX ku përshëndeti edhe njëri prej komandantëve të UÇK-së, ish-Kryeministri i Kosovës dhe aktualisht Ministrit i FSK-së, Agim Çeku duke theksuar se: "Shekulli XXI është shekulli i shqiptarëve me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, hyrjen e Shqipërisë në NATO, liberalizimin e vizave, prandaj integrimi euro-atlantik është interes kombëtar."

Duke e marrë fjalën para të pranishmëve të shumtë dhe duke kujtuar se ky dekorim vjen jo vetëm me rastin e përkujtimit të 160-vjetorit të rënies së patriotit e luftëtarit të madh shqiptar, Zenel Hito Gjoleka, por dhe në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Kryetari i Shtetit, Bamir Topi theksoi:

“Të dashur banorë të Kuçit dhe të Labërisë! Të nderuar deputetë! I nderuar zoti Çeku, zoti Kosumi! Të nderuar përfaqësues të njësive vendore!

Është gjithmonë një emocion i veçantë që të ndodhem këtu midis jush! Është një kënaqësi të jem mik në fshatin dhe krahinën tuaj, aq të njohur për mikpritjen dhe kontributin e jashtëzakonshëm në të gjitha etapat e historisë së shtetit shqiptar. Natyra juaj fisnike, tradita e pasur dhe virtytet e larta njerëzore e bëjnë këdo, përfshirë edhe mua, të ndihet i nderuar për pjesëmarrje të tillë dhe natyrisht nga një simpati që vjen për të gjithë përfaqësuesit, në radhë të parë për figurat historike, të cilat i kanë dhënë nder dhe lavdi kombit shqiptar. Prandaj do të thoja që kjo veprimtari sot është një ngjarje e rëndësishme që na ka mbledhur së bashku në këtë trevë historike, në këtë vend historik ku kanë lindur burra dhe gra, që i kanë dhënë nder jo vetëm Kuçit dhe Labërisë, por i kanë dhënë nder mbarë Shqipërisë.

Ne sivjet kemi një ngjarje të shënuar. Ne përkujtojmë 100-vjetorin e shtetit shqiptar duke nderuar patriotë të shquar si Zenel Gjoleka, dhe në këtë mënyrë i bëjmë nder historisë, përvjetorit të shtetit dhe kujtesës tonë kombëtare.

Për këto motive unë mirëprita propozimin dhe ftesën e ardhur nga organizatorët, jo vetëm për pjesëmarrjen, sepse pjesëmarrja është një detyrim, por edhe një nder, por edhe për të nderuar me titullin më të lartë “Nder i Kombit” birin tuaj dhe të gjithë Labërisë, atdhetarin dhe patriotin e madh, luftëtarin dhe pararendësin e pavarësisë, Zenel Gjolekën. Në figurën e tij kombëtare janë mishëruar tiparet më të njohura patriotike të Kuçit dhe Labërisë; - dashuria e madhe për lirinë dhe vendin, për flamurin dhe identitetin kombëtar, përpjekjet shekullore për çlirim e përparim, dhe kurajo e jashtëzakonshme e sakrificës, solidaritetit dhe ndërgjegjes kombëtare.

Jo rastësisht ne kemi sot prezent figura politike dhe publike të ardhura nga të gjitha trojet shqiptare, dhe jo rastësisht të gjithë kanë zgjedhur të vijnë në festën tuaj, - natyrisht në festën tonë, në festën e të gjihëve, në shenjë respekti për veprën e pavdekshme të Gjolekës, por edhe për gjithçka që ju, prindërit e të parët tuaj kanë dhënë për Shqipërinë e çështjen kombëtare. Bijtë tuaj lanë gjurmë në histori që nga koha e Kastriotëve deri tek Ali Pasha. Djemtë tuaj ishin rrethi më i afërt i themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, - ata ishin gjithashtu pjesa më aktive e luftëtarëve antifashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por Kuçi e zonat rreth tij nuk njihen vetëm për aftësitë ushtarake dhe qëndresën e armatosur; ju njiheni si vend i kuvendeve të mëdha popullore, si bartës të kulturës dhe traditës sonë më të mirë zakonore, - ngjarje të lidhura me vendime të rëndësishme politike, për hapjen e shkollave shqipe, për mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe për bashkimin e të gjithë krahinave kundër kërcënimeve të huaja apo forcave pushtuese.

Heroi që kujtojmë sot, Zenel Gjoleka ishte organizatori dhe udhëheqësi i kryengritjes anti-osmane, organizator dhe kryekomandant i zgjedhur në kuvendin e Mesaplikut, si dhe figura kryesore në shumë ngjarje të tjera me rëndësi në historinë shqiptare të viteve 1830-1850. Me emrin e tij janë të lidhura akte heroike të pashoqe, ndaj edhe sot, 160 vjet më vonë, ne e kujtojmë dhe e nderojmë, sepse duke vepruar kështu, nderojmë heroizmin e një brezi të shquar luftëtarësh patriotë, të cilët sakrifikuan gjithçka për Shqipërinë, përfshirë edhe jetët e tyre.

Ceremonia e sotme vjen në një kohë me rëndësi për Shqipërinë dhe shtetin shqiptar. Viti 2012 shënon njëqindvjetorin, - një ngjarje jubilare e cila meriton të gjithë vëmendjen, mbështetjen dhe respektin e duhur. Nderimi bëhet duke evokuar të kaluarën kombëtare, bijtë e bijat që lanë emrat e tyre në memorien tonë kombëtare, ngjarjet e mëdha që na bëjnë të jemi krenarë, por edhe duke reflektuar për të nxjerrë në pah detyrimin madhor që brezat e sotëm i kanë kësaj trashëgimie historike.

Duke respektuar shtetin dhe forcuar institucionet, duke njohur ligjin dhe treguar bindje ndaj tij, duke u dhënë fund çdo praktike të gabuar që e sheh politikën dhe shtetin si burim fitimi, abuzimi apo demagogjie, pra duke marrë vendime për qytetarët, me qytetarët dhe në interes të plotë publik e kombëtar, - vetëm kështu politika dhe shtetarët tanë i bëjnë respektin e merituar përvjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Ky është apeli im për politikën në këtë ditë të shënuar të respektit për një simbol të qëndresës, kurajës dhe patriotizmit.

Edhe njëherë dëshiroj t’ju përshëndes, t’ju uroj për gjithçka keni bërë për të pasur ditët që jetojmë sot, t’ju siguroj se modeli juaj i festave lokale përbën një shembull që duhet ndjekur edhe nga krahinat e tjera të vendit, dhe njëherësh t’ju falënderoj përzemërsisht për pritjen e ngrohtë dhe miqësore.”

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit presidencial përkatës, Presidenti Topi nderoi me Urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, patriotin kuçiot Zenel Hito Gjoleka (Pas vdekjes), me motivacionin: “Udhëheqësit të shquar të kryengritjeve popullore antiosmane të Shqipërisë së Jugut, në vitet 30-40 të shekullit XIX, që ishin prelud i Lëvizjes Kombëtare dhe që ruajtën e gjallëruan më tej ndjenjat kombëtare të popullit, deri në formimin e shtetit shqiptar; luftëtarit trim që dha jetën heroikisht, në mbrojtje të trojeve shqiptare”.

Dekorata iu dorëzua përfaqësuesit të familjes Gjoleka, stërnipit të Zenelit, zotit Besfort Gjoleka, i cili u shpreh: ‘’Në emër të familjes sime, më lejoni t’ju përcjell falenderimet për të gjithë pjesëmarrësit që ndodhen sot këtu, organizatorëve të kësaj veprimtarie dhe sigurisht, falenderimet më të veçanta për Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, i cili më në fund, pas njëzet vjet demokracie, nderoi dhe dekoroi Zenel Gjolekën me titullin që figura e tij e meritonte më së shumti, atë të ‘Nderit të Kombit.’’’

Në fund, Presidenti Topi ndoqi një koncert folklorik me interpretime karakteristike të zonës nga grupet e këngëve popullore polifonike të Labërisë e të trevave të tjera shqiptare, si dhe të artistit të shquar të artit skenik Mirush Kabashi dhe të Kastriot Tushës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›