E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron të përndjekur nga regjimi komunist në njëzetvjetorin e rrëzimit të tij

21 shkurt 2011

Në njëzetvjetorin e rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dekoroi sot të përndjekur nga ky regjim, i cili ishte më i egri në mbarë Evropën Lindore.

Në prani të të ftuarve në Selinë e Presidentit, me rastin e hapjes së Fotoekspozitës “Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”, Kryetari i Shtetit dekoroi me Urdhrin “Nënë Tereza” zotin Adem Allçi dhe Sami Dangëllinë (Pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi për qëndresën mbinjerëzore dhe rezistencën e papajtueshme ndaj diktaturës komuniste.”

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekoruan: zonja Hyrye Dosti (Kupi), zoti Agron Kalaja, zoti Aqif Selimi, zoti Luan Koka, zoti Luan Myftiu, zoti Islam Spahiu, zoti Shpëtim Stërmasi, zoti Hysen Haxhiu, zonja Naile Capa, zoti Kastriot Bajraktari, zoti Engjëll Vukelaj, zoti Zenel Drangu, zoti Nikoll Gurraj, zoti Isa Mehaj, zoti Kristo Mema, zoti Demir Pojani, zoti Gëzim Peshkëpia, zoti Pajtim Lamja, zoti Murat Protoduari, Sazan Hadëri (Pas vdekjes), Dhori Gërnjoti (Pas vdekjes), zoti Beqir Hoxha dhe zoti Baki Xheneti me motivacionin: “Në respekt të vuajtjeve të pafund dhe qëndresës së pashembullt ndaj persekutimit nga diktatura komuniste.”

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, në shenjë vlerësimi e nderimi të thellë si dhe në respekt të vuajtjeve të dhe qëndresës së pashembullt ndaj diktaturës komuniste, Presidenti i Republikës u dorëzoi këtyre të përndjekurve dhe familjarëve të tyre Urdhrin “Nënë Tereza” dhe Medaljen e Mirënjohjes.

Në emër të të dekoruarve, përshëndeti zoti Adem Allçi, i dënuar për gati tre dekada në burgjet komuniste dhe Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, i cili u shpreh: "Është kënaqësi e madhe për ne që sot Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi, ka bërë këtë gjë, që për vite të tëra, për 20 vite, asnjë President nuk i doli për zot për të dekoruar këtë klasë fisnike të kombit shqiptar. Unë, ndër të tjera shtoj edhe këtë, u kërkoj ndjesë edhe të dënuarve të tjerë që u takon edhe atyre, por kjo do të jetë e herë pas hershme.
Zoti President, edhe njëherë ju uroj shëndet, jetëgjatësi e gjithë të mirat!
Faleminderit për respektin e të dënuarve politikë të Shqipërisë!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›