E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u urojnë “Gëzuar Pashkët” të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë

24 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u uruan sot Festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë duke vizituar në mesditë filimisht Selinë e Kryepiskopatës së Hirshme të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë në Tiranë.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi i shprehën Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe mbarë besimtarëve ortodoksë shqiptarë, kudo ku ata jetojnë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve ortodokse.

Kreu i shtetit dhe Zonja e Parë vizituan më pas edhe Selinë e Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës në Tiranë me rastin e Festës së Pashkëve katolike ku uruan Ipeshkvin të Arqipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Imzot Rrok Mirditës dhe njëkohësisht Kryetarin e Konferencës Ipeshkvnore me rastin e Festës së ringjalljes së Jezu Krishtit.

Kryetari i Shtetit i shprehu urimet më të përzemërta për këtë Festë madhështore të krishterimit edhe nëpërmjet mediave të shumta të pranishme: “Përshëndetje! Natyrshëm, urimi i parë vijon për besimtarët e krishterë, dhe meqenëse jemi tek Selia e Kishës Ortodokse, për besimtarët ortodoksë!

Dëshiroj t’u uroj atyre Festën e Pashkëve, këtë ditë, e cila vjen në koinçidencë me këtë stinë shumë të bukur, që presupozon jo vetëm rindërtimin fizik, por edhe shpirtëror! Kështu që urime të gjithëve! Besoj që kjo është një festë, dhe unë këtë e bëj vazhdimisht, nuk mendoj se e teproj, këto festa janë për të gjithë shqiptarët, sepse ndjeshmëria është e tillë që ne i festojmë festat e njëri-tjetrit dhe ka një rritje të besimit tek të gjithë, sepse Zoti është një. Urime edhe juve! I uroj të gjithë dhe besoj që Pashkët sivjet vijnë në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike shqiptare!”

Pyetjes në se ka nevojë për një rritje besimi edhe në politikë, Presidenti Topi iu përgjigj: “Besoj që ata që vijnë dhe shprehen sikurse po shprehem edhe unë këtu, gjërat duhet t’i kenë seriozisht që kur shprehen për rindërtim shpirtëror, në radhë të parë, domethënë një rindërtim të dy vlerave morale që së pari ka të bëjë me ata që e bëjnë politikën dhe që e përcjellin këtë në shoqëri. Të gjithë bashkë kemi nevojë që këtë fushatë, e cila për fat të keq është shoqëruar edhe me incidente, në fazën përbyllëse, duke iu referuar kësaj dite të madhe, ta mbyllim në mënyrë të qetë dhe ta përcjellim edhe ditën e zgjedhjeve, por edhe administrimin e zgjedhjeve, me shumë besim tek Zoti në radhë të parë, por edhe tek njëri-tjetri. Urime të gjithëve!”

Urimet më të sinqerta për këtë festë të madhërishme, Presidenti Topi i shprehu edhe për besimtarët katolikë shqiptarë: “Edhe njëherë gëzuar për të gjithë besimtarët e krishterë dhe në mënyrë të veçantë, meqenëse jemi këtu në këtë Seli të nderuar të Kishës Katolike, për besimtarët katolikë!

Është një ditë e lumtur për të gjithë, një ditë e gëzuar e rindërtimit fizik dhe shpirtëror. Uroj që kjo ditë të na bëjë të gjithëve bashkë për të menduar vetëm për gjëra të mira, sikurse predikon edhe feja! Është një arritje e jashtëzakonshme e ditëve të demokracisë që ne vijmë e gëzojmë së bashku me besimtarët dhe aspirojmë për një të ardhme evropiane, e cila realisht është e projektuar dhe mbetet për t’u realizuar. Urime të gjithëve!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›