Kryeministri Berisha: Mbështesim çdo projekt që nxit zhvillimin në Urën Vajgurore

Në vijim të takimeve në qarkun e Beratit, Kryeministri Berisha u ndal sot në mesditë në bashkinë Ura Vajgurore ku prezantoi dhe shprehu mbështetje për kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në këtë bashki, zotin Thoma Rumnici.
Kryeministri Berisha i garantoi banorët se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Thoma Rumnici për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të mëdha industriale, turistike, bujqësore në Urën Vajgurore.
Më gjerësisht, kryeministri Berisha u shpreh:
“Të dashur qytetare dhe qytetarë të Urës Vajgurore,
Zonja e zotërinj,
I dashur zoti Thoma Rumnici, kryetar i ardhshëm i bashkisë Ura Vajgurore,
Së pari ju përshëndes vëllazërisht dhe me shumë mirënjohje për këtë pritje të ngrohtë. Së dyti kam ardhur tek ju për t’ju garantuar se qeveria do të mbështesë çdo projekt të zotit Thoma Rumnici për çdo rrugicë, çdo rrugë, çdo lagje të bashkisë tuaj. Ura Vajgurore e zhvilluar, Berati i zhvilluar, Shqipëria e zhvilluar, është angazhimi ynë. Ne kemi investuar dhe do të investojmë shumë herë më tepër. Në qarkun e Beratit kemi investuar gjashtë herë më shumë sesa kanë investuar socialistët në tetë vitet e tyre në pushtet. Ju garantoj se katër vitet që vijnë do të investojmë tetë herë më shumë se katër vitet që shkuan. Në këtë qark ne do të bëjmë gjithçka që Ura Vajgurore të shfrytëzojë të gjitha potencialet e saj të mëdha industriale, turistike, bujqësore. Në këtë drejtim rruga Ura Vajgurore – Mbreshtan, Ura Vajgurore – Bistrovicë, Unaza e Shpiragut janë zotimet tona solemne.
Zoti Rumnici deklaroi se janë dhe 20 kilometra rrugë. Zoti Rumnici, unë të garantoj se edhe 40 kilometra po të jenë do të asfaltohen kilometër për kilometër. Sikundër, ju garantoj juve se këto katër vite motoja jonë do të jetë ujë 24 orë për banorët e qytetit dhe fshatrave të kësaj bashkie, rindërtim i të gjitha shkollave sipas standardeve evropiane, financim i të gjitha potencialeve të mëdha të fermerëve të kësaj zone. Në qarkun e Beratit katër vitet që shkuan ne kemi subvencionuar 2 mijë hektarë blloqe me ullinj, dru frutorë dhe sera. Unë ju jap fjalën se ne jemi të gatshëm që katër vitet që vijnë të subvencionojmë 10 mijë hektarë dhe të bëjmë që Berati, Ura Vajgurore, Kuçova të jenë një kopsht gjigand i prodhimeve më të shkëlqyera. Së shpejti, brenda këtij muaji, nis ndërtimi i rrugës Lushnje – Berat. Ndërkohë këtu mbërrin edhe Boshti i Jugut, nga Belshi në Urë Vajgurore dhe vazhdon drejt Tepelenës.
Vëllezër e motra,
Këto vite kanë qenë viti në liri për të gjithë ne, por nuk kanë qenë vite të lehta. Kanë qenë vite me mund, me djersë me sakrifica dhe jo pa dhembje. Por besoj se këto vite kanë qenë vitet e arritjeve më të mëdha të jetës për secilin prej nesh. Në këto vite ne, qytetarët e vendit më të shkëputur se çdo vend tjetër, u bëmë anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, aleancës më të fuqishme të kohërave, duke pasur të sigurt njëherë e përgjithmonë lirinë kombëtare, lirinë e shqiptarëve. Këto vite nuk kanë qenë të lehta për ne. Qindra – mijëra djem e vajza nga Kuçova, Berati e mbarë Shqipëria morën rrugët e dheut për kafshatën e gojës. Sot, nënat, baballarët, motrat, vëllezërit e tyre mund të shkojnë e t’i vizitojnë kudo që ndodhen. Sot ne lëvizim të lirë në mbarë Evropën. Rruga e lirisë është rruga e dinjitetit. Ne lëvizim të lirë me dinjitet të plotë, si gjithë qytetarët e tjerë të Evropës.
Vitet që shkuan kanë qenë vite të një skamje të madhe. Sërish varfëria ekziston, por nga 18 përqind që ishte në vitin 2005, ajo u ul në 12 përqind në vitin 2009. Ju garantoj se lufta kundër saj është dhe mbetet një nga objektivat më madhorë të qeverisë sime. Në këto vite, në luftën kundër varfërisë, ne dyfishuam pensionet e të gjithë fermerëve shqiptarë. Nga 34 mijë lekë të vjetra sot nuk ka pension fermeri nën 76 mijë lekë të vjetra. Dyfishuam pensionet e ulëta në qytet, dyfishuam rrogat e ulëta dhe rrogat e mesme, ndërkohë që në shumicën e vendeve të tjera pensionet e rrogat ose janë ngrirë ose po ulen për shkak të krizës ekonomike. Pra rruga jonë është një rrugë me mund, me djersë, me mund, me sakrifica, por edhe një rrugë me shpresë, me suksese, me besim, me ecje të sigurt drejt të ardhmes sonë, me ndërtim të së ardhmes që ne meritojmë.
Unë jam këtu për të ftuar të gjithë banorët e bashkisë Ura Vajgurore që, pavarësisht nga bindjet politike, të bashkohemi në këtë rrugë, t’i bashkohemi alternativës për qytetarin. Në shtëpinë e kësaj alternative ka vend për çdo qytetar pavarësisht bindjeve politike. Në këtë shtëpi do të nderohet e respektohet cilido që bashkohet me ne, do të respektohet mundi dhe djersa, vizioni e përkushtimi, dinjiteti dhe të drejtat.
Le të ecim së bashku, sepse për ne ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Ura Vajgurore është e para, Berati është i pari, Shqipëria është e para. Ndaj ju bëj thirrje që më 8 maj votoni Thoma Rumnicin dhe ju garantoj se suksesin e 8 majit, së bashku me Thoma Rumnicin, do ta shndërrojmë në një sukses të vërtetë për secilin prej jush, për çdo familje të Urës Vajgurore dhe për të gjithë qytetarët e kësaj zone.
Rrofshi ju!
Rroftë Berati!
Rroftë Shqipëria!”
23/04/2011