E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë u urojnë Vitin e Ri 2009 fëmijëve të shtruar në Spitalin e Fëmijëve.

1 janar 2009

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi vizituan sot paradite fëmijët e shtruar në Spitalin e Fëmijëve “Selaudin Bekteshi” të Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës duke u uruar atyre Vitin e Ri 2009.

Të shoqëruar edhe nga Ministria e Shëndetësisë, Anila Godo si dhe Drejtoresha e QSUT-së, Xheorxhina Kuli, Kreu i shtetit shqiptar dhe Zonja e Parë nisën fillimvitin 2009 me një vizitë në Pavionet e Onkohematologjisë dhe të Terapisë Onkologjike të Spitalit të Fëmijëve, duke u interesuar për shëndetin e fëmijëve të shtruar aty, biseduar edhe me prindërit e tyre, të cilëve u premtoi mbështetjen maksimale personale dhe nga ana e Institucionit të Presidentit të Republikës, si dhe me personelin mjekësor që përkujdeset për ta.

Presidenti Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, ndaloi në mënyrë të veçantë në dhomën e një djali trembëdhjetëvjeçar kosovar të aksidentuar, duke u interesuar për gjendjen e tij shëndetësore dhe duke i uruar shërim të shpejtë.

Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, pasi vizituan edhe Repartin e Teraspisë Intensive, ku u shoqëruan edhe nga Shefja e këtij shërbimi, Prof. Sashenka Sallabanda, u takuan dhe zhvilluan një bisedë të ngrohtë e miqësore edhe me personelin mjekësor të këtij Spitali.

Gjithashtu Presidenti Topi, pasi e nisi fillimin e këtij viti me urimet më të mira për shërim të shpejtë të të gjithë atyre të shtruarve në spitale dhe qendra mjekësore, veçanërisht fëmijëve në Spitalin e Fëmijëve, shprehu mirënjohjen për të gjithë personelin mjekësor, që e kaloi ndërrimin e viteve në krye të detyrës duke uruar njëkohësisht edhe për një “sistem shëndetësor sa më të shëndoshë”.

Kreu i shtetit përcolli edhe një urim tjetër para mediave të pranishme, atë për një vit të mbarë e të begatë për Shqipërinë, e cila patjetër do t’i afrohet sa më shumë standardeve integruese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›